Raportet pa licencë: Prokuroria heton rrjedhjen e informacioneve pas raportimit të Nacionales për IML-në - NACIONALE

Raportet pa licencë: Prokuroria heton rrjedhjen e informacioneve pas raportimit të Nacionales për IML-në

3 vjet më parë

nga Besian Beha

Drejtoresha e Laboratorit të Toksikologjisë në IML, Flutura Goga, po vazhdon të lëshojë raporte toksikologjike pa licencë. Tash, Prokuroria, pas kallëzimit penal nga Goga, po merret me rrjedhjen e informacioneve, dokumenteve dhe zbulimin e burimit nga ku kanë dalë informacionet.

Pas publikimit të dokumenteve nga gazeta Nacionale ku vërtetohet se Goga po lëshon raporte toksikologjike pa licencë, në Institutin e Mjekësisë Ligjore ka pasur reagime të mëdha. Nacionale ka mësuar se Goga ka ushtruar një kallëzim penal në Prokurori lidhur me rrjedhjen e dokumenteve.

Burime të sigurta ia kanë konfirmuar Nacionales se hetuesit dhe Prokuroria i kanë intervistuar një numër të madh të punëtorëve në Institutin e Mjekësisë Ligjore, duke i pyetur për rrjedhjen e raporteve që i ka publikuar Nacionale. Raporte ku nuk ka pasur asnjë të dhënë personale, por vetëm lloji i analizës dhe nënshkrimi që ishte bërë nga drejtoresha Goga, e cila është pa licencë për të realizuar analiza të tilla.

Se ka hetime për rrjedhjen e informacioneve është konfirmuar edhe nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Megjithatë, këta të fundit nuk kanë pranuar të ofrojnë asnjë detaj dhe përgjigje të detajuar ashtu siç ka kërkuar gazeta.

“Lidhur me pyetjet e juaja, ju njoftojmë se për këtë çështje janë duke u zhvilluar hetime, andaj në këtë fazë nuk mund të japim informata të tjera për shkak të ruajtjes së integritetit të procedurës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Nacionale e ka pyetur Prokurorinë edhe për detaje të tjera, mirëpo Prokuroria nuk ka dhënë asnjë informacion. Goga është drejtoreshë e laboratorit nga ku u zhdukën mostrat e Astrit Deharit.

Një burim i afërt me zhvillimet i ka thënë Nacionales se gjatë marrjes në pyetje, punëtorët e Institutit të Mjekësisë Ligjore janë pyetur nëse e njohin dhe kanë ndonjë lidhje me gazetarin që i ka publikuar informacionet.

“Punëtorët janë pyetur a e njihni gazetarin (Besian Beha) që i ka publikuar raportet. Secili që është intervistuar e kanë pyetur nëse e njohin këtë gazetar”, kanë thënë burime të afërta me zhvillimet për Nacionalen.

Nacionale do të vazhdojë të raportojë për këtë problematikë dhe zhvillimet e tjera, duke respektuar në tërësi ligjin dhe duke ruajtur burimet konfidenciale.

Nacionale për këtë temë ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Drejtësisë dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore. MD-ja ka kërkuar që pyetjet të adresohen në organet kompetente, duke aluduar në Prokurori, kurse IML-ja s’ka kthyer përgjigje.

Çfarë kishte raportuar Nacionale?

Në kohën kur ishin zhdukur mostrat e aktivistit të VV-së, Astrit Dehari, nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, në mesin e personave të suspenduar ishte edhe Flutura Goga, drejtoresha e laboratorit të Toksikologjisë. Më pas, ajo ishte kthyer në vendin e punës.

Nacionale kishte raportuar fillimisht se Goga me një vendim nga Inspektorati Shëndetësor nuk ka licencë, pasi Goga po bënte edhe analiza të gjakut e urinës për çka kërkohet licencë.

“Meqenëse përpunimi i gjakut dhe urines konsiderohet si shërbim shëndetësor atëherë neni 71 i Ligjit nr 04/L-125 Për Shëndetësi e ka paraparë licencimin e profesionistëve shëndetësorë sipas profileve të përcaktuara në nenin 69 të këtij ligji, ndërsa në paragrafin 4 të nenit 71 të këtij Ligji shprehimisht thuhet: ‘Profesionisti shëndetësor mund të ofrojë shërbime shëndetësore në mënyrë të pavarur vetëm pas marrjes së licensës’”, thuhej në raportin e Inspektoratit Shëndetësor të cilin e kishte siguruar Nacionale.

Pas disa muajsh, Nacionale kishte publikuar disa raporte të tjera të disa analizave toksikologjisë të lëshuara nga drejtoresha Goga, e cila po vazhdonte të lëshonte raporte të tilla pa licencë. Nacionale ka ruajtuar secilin detaj të pacientëve duke mos publikuar asnjë shënim personal, por vetëm llojin e analizës dhe firmën e vulën e drejtoreshës Goga.

Në këto raporte vërtetohej se pavarësisht vendimit nga Inspektorati Shëndetësor, Goga po vazhdonte të kryente analiza të gjakut e urinës për çka nuk kishte licencë.

Lajme të ngjashme