Ramadani: Osmani dhe Kurti sot duhet t`i kenë dy kërkesa për Sekretarin e NATO-s
Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka treguar se çka duhet t`i kërkojnë presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurtit sot në takim Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
Ai ka bërë me dije se ata duhet t`i kenë dy kërkesa dhe një sqarim për popullin e Kosovës.
Në profilin e tij në “Facebook”, Ramadani ka shkruar se kërkesat kanë të bëjnë në lidhje me afrimin e Kosovës me NATO-n
“Lidershipi aktual t’i bëjë dy kërkesa NATO-s dhe një sqarim popullit! Kërkojini NATO-s të ftojë Kosovën për Planin e Veprimit për Anëtarësim (MAP), duke nisur po ashtu Dialogun me NATO-n si avancim. Anëtarësimi ‘Fast Track’ i Kosovës në NATO është rruga më e sigurt për qëndrueshmërinë e Kosovës dhe stabilitetit e paqes në Ballkanin Perëndimor. Po ashtu, kërkojini NATO-s të bëjë të gjitha veprimet për ta detyruar Serbinë që ta mbyllë Qendrën Ruse të Spiunazhit në Nish, që u themelua në vitin 2012. Ndërsa, popullit të Kosovës, Lidershipi aktual shtetëror e ka për obligim t’ia sqarojë përse Komisioni Ndër-Ministror për anëtarësim në NATO nuk është funksionalizuar në punë kurrë?”, ka shkruar Ramadani.