RamaBAJU: Anatomia e ikjes së turpshme të Sadri Ramabajës nga studioja televizive?
Lajmi më i madh i mbrëmjes së kaluar ishte ikja i Sadri Ramabajës nga studioja televizive e emisionit Pressing në T7. Po aq dramatike sa ikja, ishte edhe ajo që çoi drejt ikjes. Qysh ndodhi?
Të shtunën e kaluar, më 6 maj, z. Ramabaja e kishte publikuar një shkrim në portalin e financuar nga Kurti të titulluar “Abuzimi i politikës me mediat alias shantazhet e medias ndaj politikës”.
Pa ofruar ndonjë provë, ai akuzonte mediat kosovare për gjithçka. Madje, i përmendte edhe me emër.
Në studio
Ramabaja ndodhej mbrëmë në një panel me analistët Zana Avdiu, Ilir Mirena dhe Parim Olluri. Që të tre, kritikë të Vetëvendosjes – parti të cilës i takon z. Ramabaja.
Në momentin kritik po dekonstruktohej ideja e ndërtuar dhe propaganduar nga partia në pushtet se mediat vendore janë të kapura nga partitë opozitare, e për rrjedhojë me automatizëm janë edhe kundër Lëvizjes Vetëvendosje.

Që të tre analistët tjerë, po i tregonin Ramabajës se dikur mediat ishin aleati më i madh Vetëvendosjes duke zbuluar skandale të partive që kishin qenë në pushtet.
“Dolëm te mediat, por s’është temë kjo,” – u shpreh në një moment moderatori Leonard Kërçuki, duke e kuptuar se po i rrëshqiste debati nga duart. Por, debati “i ri” tashmë kishte marrë dhenë.
“Mediat sot që janë në skenë, aktualet, të njëjtat kanë qenë aleati më u ngushtë i Lëvizjes Vetëvendosje. Krejt aferat ma të mëdha (i kanë zbulu mediat)!” - argumentoi analisti Ilir Mirena.
Derisa po zhvillohej ky debat, Ramabaja po qeshej. Derisa më pas e bëri një konspiracion kur u pyet në mënyrë retorike se kush e kishte zbuluar Aferën Pronto:
“E ka zbulu Kadri Veseli (aferën Pronto) se s’kishi guxu ju hiç.” - tha ai, përsëri, pa ofruar ndonjë provë.

Kjo e irritoi gazetarin dhe analistin Parim Olluri - drejtor i Insajderit që kishte publikuar Pronton - që i tha “mos rrej, se po rren sa je i madh!”
“Mbylle gojën, mbylle gojën ose dil jashtë. Rrugaq” – i tha i nxehur Ramabaja, që zakonisht ishte i qetë në raste të tilla. U shkëmbyen ndërkohë edhe të tjera ofendime.
“Ose ky, ose unë,” – i tha ai moderatorit Kërçuki derisa u ngrit në këmbë për të dalë jashtë.
Ramabaja, viktimë?
Fatkeqësisht, z. Ramabaja si një aktivist i VV-së mund të jetë thjesht viktimë e retorikës kundër medies që është nxitur nga Zyret më të pushtetshme të vendit, ajo e Kryeministrit dhe ajo e Presidencës.
Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu, kishte shkaktuar bujë duke i quajtur mediet “ndërmarrje e përbashkët kriminale”. Shefi i stafit të Vjosa Osmanit, ndërkohë, ka bërë një mori shkrimesh sulmuese ndaj medieve, në një moment duke i lidhur edhe me skenare të Serbisë. E shefi i stafit të Albin Kurtit, Luan Dalipi, ishte shprehur se “ngjasojnë me kompani të kriminalizuara”.

Se Ramabaja është vetëm viktimë e kësaj klime, mund ta kuptojmë edhe nga shkrimi i tij i lartpërmendur ku me naivitet lidh mediet me parti të ndryshme politike kosovare duke provuar që t’i japë kuptim gjuhës së Dalipit, Velës e Sadriut.
“Shumica e gazetave dhe revistave me tirazh të kënaqshëm ishin nga katër grupe të interesit që identifikoheshin qartë – ai që operonte tutje nën kontrllin dhe për interesat e LDK-së (Gazeta Bota sot etj); grupi i dytë më i fuqishëm tashmë ishte ai Familjes Surroi (Koha ditor…); grupi i tretë ishte i kontrolluar nga SHIK-u (Epoka e re, Dita…), ndërkaq grupi katërt që luante rolin e medias “neutrale” ishte ai i Familjes Kelmendi (TV 21…), që fillimisht ishte thjeshtë media komerciale, ndërkaq shpejt kaloi në shërbim të LDK-së, e me ardhjen në pushtet të PDK, edhe në shërbim të saj. Ndërkohë kësaj katërsheje dominuese në rrafshin medial, i janë shtuar edhe grupi i mediave të manjatëve tjerë që operojnë nën siglën e TV Dukagjinit, TV Klan Kosova dhe krejt në fund edhe ata që Televizioni publik (RTK), si mjeti kryesor i komunikimit masiv, ishte organizuar nga ana e OSBE-së sipas të drejtës private dhe publike (sistemi i dyfishtë), por shumë shpejtë edhe ai kaloi në shërbim të grupeve të interesit, duke marrë tiparet e një shoqërie aksionare që do t’ju shërbejë varësisht nga fuqia politike sa PDK-së, aq edhe LDK-së dhe AAK-së.” – shkruante Ramabaja.
A mund të merret seriozisht e gjithë kjo?

