Pse gjuha e Luan Dalipit është më e rrezikshme se që mendoni
Shefi i Stafit të Kryeministrit Albin Kurti, pra një njeri shumë i pushtetshëm, gjatë ditës së djeshme e bëri një status në profilin e tij në Facebook duke e bërë një akuzë të rëndë ndaj mediumeve kosovare. Cila është e vërteta e kësaj akuze?
Etiketa që mori dhenë në statusin e tij të gjatë ishte se portalet “ngjasojnë me kompani të kriminalizuara që model biznesi kanë shpifjen dhe tentimin për të shantazhuar qeverinë”.
Një pjesë e madhe e qytetarëve u rreshtuan me pushtetin për shkak të figurës së Albin Kurtit. Portalet, përsëri, u shpallën “kriminale” ose të “kriminalizuara” por edhe “shantazhuese”. Nëse do të ishte korrekte politikisht që të shaheshin me “nënë” ose “babë”, ndoshta edhe do të shaheshin.
F A K T E T
Problemi kryesor me statusin e përdorur nga z. Luan Dalipi është përgjithësimi. Ai nuk ka arritur të përveçojë asnjë medium në veçanti që është “i kriminalizuar” e “shantazhues”. Dhe ky përgjithësim, ashtu edhe siç mund të pritej, ka bërë që ai të mos ndiejë nevojën për të dhënë ndonjë provë.
Çka e ka shtyrë z. Dalipi që ta bëjë atë akuzë? Ndonjë lajm me të pavërteta që synonte ta shantazhonte Qeverinë Kurti II? Cili medium ka synuar ta shantazhonte Qeverinë?
Përgjigjet nuk ekzistojnë.
Kjo bën që pushtetari Dalipi t’i ikë llogaridhënies. Ai nuk do të mbahet përgjegjës për fjalën e tij, dhe askush nuk do t’i kërkojë evidencat për ato që i thotë.
Sjellja e këtillë arbitrare ndaj medieve është e njëjtë me sjelljen që keqpërdoron paranë publike. Në fakt, është edhe më zi se kaq. Shumë më zi. Ajo e ndot sferën publike – hapësirë e përbashkët komunikuese – dhe përforcon praktikën e sulmeve pa asnjë fakt.
Nga kampi i pushtetit janë bërë shumë e shumë sulme në drejtim të medieve. E megjithatë, nuk është dhënë asnjë fakt i vetëm për “kriminalitetin” e tyre të pretenduar.
Kjo gjuhë që kriminalizon raportimin medial ka qenë ndër elementet kryesore të pushtetit të Sllobodan Millosheviqit në vitet ’90, ndërsa dy fjalët me të cilat shoqëria jonë protestonte në atë kohë – nën rrezikun e dhunës policore – ishin “demokraci” e “liri”.
P Ë R F I T U E S I T
Krijimi i praktikës së sulmeve pa prova e pa fakte – nuk do shumë mend – se i shkon në favor të fortit. Një qytetar i rëndomtë mund të thurë konspiracionet më fantastike në kafenenë ku rrin. Por, nëse kjo ndodh prej të pushtetshmit atëherë konspiracionet marrin peshë politike. Kur Luan Dalipi sulmon mediet pa asnjë provë nga zyra e Kryeministrit të Kosovës ai sulmon demokracinë. Sepse, sulmi nuk bëhet në ndonjë sallë gjykate ku do t’i kërkohej të evidentonte pretendimet e tij por në një platformë të rrjeteve shoqërore ku e vërteta ose e pavërteta përcaktohen me pëlqime.
Edhe nëse – larg qoftë – ndonjë medium përnjëmend është duke e shantazhuar Qeverinë, a s’do të duhej që ballafiqimi të ndodhte në ndonjë gjykatë? Dhe, a do të ishte korrekte të futeshin përgjithësueshëm disa mediume në një thes?
Në fakt, jo vetëm Dalipi por secili pushtetar po t’i teket të bëjë akuza pa prova, fjalët e tij i marrin peshë edhe nëse janë krejtësisht dashakëqjia dhe helmuese.
V I K T I M A T
Viktima e parë e sulmeve të tilla është demokracia, siç e thamë. Ajo nuk mund të funksionojë si duhet në një kakofoni ku secili akuzon secilin për gjithçka që i teket dhe pa barrën e asnjë prove. Dhe ku në fund, sado e pavërtetë qoftë, besohet ajo e më të pushtetshmit.

Fjala e humb peshën e saj nën këto kushte, dhe demokraci pa fjalë nuk ka e nuk mund të ketë.
Një viktimë tjetër është edhe liria e shprehjes. Me mediume, gazetarë, sinjalizues e qytetarë të rëndomtë të trembur ajo nuk mund të ekzistojë.
Të ndalemi te gazetarët. Këta të fundit, besojeni ose jo, janë njerëz si të gjithë ju që po e lexoni këtë artikull. Dhe – besojeni ose jo – njëjtë si ju lëndohen kur shahen nga dikush pa asnjë provë, ashtu siç u lëndohen edhe familjarët dhe shoqëria e tyre.
Tashmë, sulmet ndaj gazetarëve janë bërë të panumërta nga ana e pushtetarëve të rinj. Por, pse po ndodh një gjë e tillë?
Q Ë LL I M I
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka dënuar gjuhën e z. Luan Dalipi. Sidoqoftë, thjesht dënimi i kësaj gjuhe nga gazetarët duket krejtësisht i pamjaftueshëm përballë forcës së pushtetit.
Pse Qeveria Kurti II nuk po e çon mirë me mediet?

Ani pse nuk kanë ofruar asnjë fakt për kriminalitetin e ndonjërës prej tyre - fokusi medial në punën që po e bëjnë e sidomos në punën që s’po e bëjnë – duket se po i frikëson pushtetarët e rinj.
Pritjet e krijuara nga Albin Kurti për qytetarët gjatë dhjetë viteve si opozitar ishin rritur në përmasa të pabesueshme, sidomos në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit ku morën 50% të elektoratit. Dhe, i gjithë ky besim i derdhur në ta, duket se po i lë pa gjumë përnjëmend pushtetarët (siç kishte thënë Besnik Bislimi) që veç tash e kanë kuptuar takatin e tyre real për të punuar.
Dhe, derisa ata nuk e dinë se si të fillojnë të ndryshojnë vendin, mbi 60% e rinisë kosovare vazhdon të thotë se do të largohej nga vendi po t’i jepej mundësia.
Qëllimi i z. Dalipi, kësisoj, duket mjaft ambicioz. Mediet kanë faj që qytetarët nuk po e shohin ndryshimin. Jo pushteti që nuk po arrin ta bëjë.
S T A T U S I i z. Dalipi: