Rama takon zyrtarin e DASh-it: Rikonfirmuam qëndrimet e përbashkëta dhe raportet e fuqishme ShBA-Kosovë
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, gjatë vizitës në ShBA është pritur në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Ai është takuar me Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore, ku është diskutuar për raportet në mes të dy vendeve.
I pari i Prishtinë ka bërë me dije se në takim është rikonfirmuar qëndrimet e përbashkëta dhe marrëdhëniet e fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës 🇺🇸 Republikës së Kosovës.
“Sot, në Uashington, D.C, pata kënaqësinë të pritem në Zyrën për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore të Departamentit të Shtetit të SHBA-së me Lyn Debevoise, Zëvendësdrejtor për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, si dhe me pëfaqësues të zyrës për politika ndërkombëtare. Gjatë takimit rikonfirmuam qëndrimet tona të përbashkëta dhe marrëdhëniet jashtëzakonisht të fuqishme ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës 🇺🇸 Republikës së Kosovës 🇽🇰 në veçanti Prishtinës”, ka shkruar Rama në profilin e tij në Facebook.
Më tej, ai ka treguar edhe për temat tjera që janë diskutuar.
“Diskutimet përfshinë një gamë të gjerë temash, përfshirë stabilitetin politik, rolin e parlamentit dhe të qeverisë, procesin e zgjedhjes së Presidentit, si dhe sfidat e reja me të cilat po përballemi. Vëmendje e veçantë iu kushtua bashkëpunimit ekonomik, me fokus në “Konferencën për Investime Amerikane”, që do të mbahet në Prishtinë, në muajin mars. Theksova se koordinimi i ngushtë me Departamentin e Shtetit është thelbësor për suksesin e projekteve ekonomike që synojnë forcimin e sektorit privat dhe krijimin e një klime të qëndrueshme dhe konkurruese të investimeve”, ka shkruar Rama.