Rama publikon dokumentin: Fiton betejën në Apel kundër Çekut për sheshin “Xhorxh Bush”
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën për sheshin “Xhorxh Bush”.
Në një shkrim në rrjetin social Facebook, Rama ka thënë se Apeli ka anuluar vendimin e mëparshëm të Gjykatës Themelore, duke kthyer çështjen në rishqyrtim.
Ai ka theksuar se “qyteti u takon këmbësorëve, jo makinave”.
"Ky vendim i ri i Gjykatës së Apelit vërteton se kemi pasur të drejtë dhe se veprimi ynë ka qenë në përputhje me interesin publik dhe ligjin.
E kemi thënë dhe do ta themi sërish: qendrat e qyteteve moderne nuk ndërtohen mbi ndotje, zhurmë dhe privilegje të vjetra, por mbi parimin që qyteti u takon KËMBËSORËVE, jo MAKINAVE.
Krejt kjo në përputhje me standardet e BE-së, paralel me praktikat më të mira evropiane dhe në përputhje të plotë me ligjin” – ka thënë ai.
Në dokumentin e vendimit të publikuar nga Rama, mes tjerash thuhet:
“GJYKATA E APELIT E KOSOVËS - Departamenti për Çështje Administrative,
kolegj i përbërë nga gjyqtarët Arsim Hamzaj – kryetar i kolegjit, Ramiz Kuqi e Hajriz Hoti – anëtarë të kolegjit, në çështjen juridike kontestuese të paditëses (propozueses) Komuna e Prishtinës, kundër të paditurës (kundërpropozueses) Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit - Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave, për shkak të anulimit të vendimit, me propozim për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, duke vendosur sipas ankesës së paditëses (propozueses), të paraqitur kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – departamenti i përgjithshëm, A.nr.1922/25, të datës 20.06.2025, në seancën e kolegjit të mbajtur më datën 14.07.2025, mori këtë:
A K T V E N D I M
APROVOHET e themelë ankesa e paditëses (propozueses) Komuna e Prishtinës,
PRISHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative, A.nr.1922/2025, i datës 20.06.2025, dhe lënda i kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje të njëjtës gjykatë”.
Më herët, në një intervistë të dhënë për “Ekonomia Online”, Rama konfirmoi se ka ndërmarrëhapa ligjor për pengesat që i kanë shkaktuar në punët e tij ministrat Hekuran Murati dhe Hajrullah Çeku.
Aty, Rama ka treguar se ministrat në fjalë me bllokimet e qëllimshëm e kanë penguar zhvillimin e kryeqytetit dhe të buxhetit të vitit 2025.
“Po, kemi ndërmarrë hapa ligjorë për ministrin e Financave edhe për ministrin e Kulturës. Jemi në proces dhe do t’ju lajmërojmë edhe për hapat me radhë”.
“Kemi sfida të vazhdueshme si rezultat i bllokadës së buxhetit të vitit 2025 nga Qeveria. E dini që më 9 dhjetor të vitit 2024 e kemi kaluar buxhetin në Asamblenë e kryeqytetit dhe kemi kërkuar qysh atëherë që të alokohet buxheti. Kjo nuk ka ndodhur prej qeverisjes së kaluar, tash prapë nuk ndodh. Tash e kemi një arsye nga ministri në detyrë se për shkak të moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës nuk ka ndodhur buxhetimi apo alokimi i mjeteve” – ka thënë kryetari i Prishtinës.