Rama për pranimin e draftit të Asociacionit nga Kurti: Shenjë që Albini po bëhet kryeministër
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në Report Tv por edhe në në forumin e medias për Europën Juglindore, ka bërë disa komente për çështjet politike në Kosovë dhe Asociacionin. Ai ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të merren vesh dhe se nuk ka asnjë rrugë tjetër, teksa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ka bërë një hap të vonuar por të duhur dhe se "po bëhet kryeministër".
Kryeministri Edi Rama ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka bërë një hap të vonuar por të duhur me pranimin e marrëveshjes që ka brenda edhe draft-statutin e Asociacionit.
“Albini ka bërë një hap të vonuar por të duhur. Por më e rëndësishme se vonesa është fakti që ka bërë hapin e duhur. Unë e kam përgëzuar që në momentin e parë. Është e rëndësishme që Kosova të jetë aktive, të jetë ajo që e avancon procesin drejt marrëveshjes përfundimtare sepse është e fituara e madhe e kësaj marrëveshje. Çështja është me sa kosto. Çështja është pse duhet marrë kosto për diçka që e para është në dorën tënde.” – ka thënë nëReport Tv.
Tutje ai u pyet se pse tash Kurti e ka bërë këtë “kthesë”, ndërsa përgjigja e Ramës ishte që me pranimn e draftit, Kurti po bëhet kryeministër.
“Nuk është puna ime të bëj analiza të tilla. Kryeministër bëhesh kur bëhesh dhe jo kur zgjidhesh. Ajo që ka bërë Albini duke pranuar atë draft është shenjë që Albini po bëhet kryeministër.” – ka thënë ai.
Ndërkaq, gjatë forumit të medias për Europën Juglindore, Rama foli për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, duke thënë se është e pashamangshme që Kosova dhe Serbia të merren vesh.
“Mendoj që kanë shmangur të pashmangshmen për një kohë të gjatë. E pashmangshmja është që duhet të merren vesh, nuk ka asnjë rrugë tjetër. Pasi vendi i të dyja shteteve është në komunitetin euroatlantik. Ndoshta më shpejt për njërin e pak më vonë për tjetrin, por ky është vendi i tyre. Nuk mund të ndryshojnë gjeografinë, janë në mes të Europës, ndaj vendi i tyre është aty. E pashmangshmja është të merren vesh.” – ka thënë ai.
Më tej, Rama është shprehur se sheh progres në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, pasi sipas tij, ka një pranim në parim për të ecur përpara me çështjen e Asociacionit.
“Unë kam qenë hapur kritik sepse kam besuar gjithmonë se paqja është shumë herë me e dobishme për gjithkënd, sesa çfarëdolloj përpjekje për ta shtyrë këtë paqe dhe për ta shndërruar politikën e jashtme në një mjet të politikës së brendshme. Situata tanimë siç e shoh unë, është paksa ndryshe, sepse ka një progres domethënës në pranimin në parim për të ecur përpara me çështjen e asociacionit. Shpresoj që do të vazhdojë kështu dhe pastaj hapat e tjerë do të ndërmerren duke qenë se nuk ka asnjë fitimtar këtu. Kostoja nuk është kaq e vogël dhe mund të jetë edh më dramatike, nëse e pashmangshmja mohohet, mohohet e shtyhet. Kam besuar gjithmonë që kjo është e vetmja rrugëzgjidhje.” – ka thënë ai.
Kujtojmë se Rama ka qenë i angazhuar në çështjet dhe zhvillimet e Kosovës në dialog me Serbinë. Bile Rama ka propozuar edhe një draft-statut të Asociacionit.



