Rama për raportet me Kurtin: "Po të kishte një kamerë kur takohem me Albinin, do habitej e gjithë dynjaja"
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se marrëdhënia e tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, është më e afërt nga sa mund të perceptohet në publik, pavarësisht dallimeve të tyre.
Duke folur para të rinjve në Jalë, Rama la të kuptohet se raporti mes tyre është krejt ndryshe nga sa mund të duket nga jashtë.
"Po të kishte një kamerë të shihte kur takohem me Albinin, do habitej e gjithë dynjaja. Por s’jemi në kushtet që t’i themi hajde ti këtu, e ai jo e jo", citohet të ketë deklaruar ai.
Sipas Ramës, raportet mes tij dhe Kurtit bazohen në respekt reciprok, por kjo nuk nënkupton se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin domosdoshmërisht të njëjtën qasje për çdo çështje.
“Kemi respekt reciprok, por secili ka shtetin e vet, qeverinë e vet dhe mendjen e vet.”
Ai i përshkroi synimet e dy qeverive si të ngjashme, teksa pranoi se mënyrat për t’i arritur ato ndryshojnë.
“Fatmirësisht, qëllimet i kemi të përbashkëta, metodat të ndryshme. Jemi dy njerëz të ndryshëm dhe nuk ka asnjë problem.”
Deklaratat erdhën pasi Rama u pyet nëse do të bashkërendonte një reagim me Kurtin për protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Studentët kanë kërkuar që provimi i jurisprudencës të mund të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe.
Kryeministri shqiptar tha se nuk e konsideron veten si përfaqësues apo mbikëqyrës të institucioneve të Kosovës dhe se secili shtet duhet të veprojë në mënyrë të pavarur.
“Kosova ka kryeministrin dhe institucionet e veta. Unë nuk bëj babanë e askujt që ka shtëpinë e vet.”
Rama kritikoi praktikat e mëparshme politike, kur, sipas tij, nga Tirana synohej t’u diktohej shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut se si duhej të vepronin.
Ai tha se një qasje e tillë kishte dëmtuar politikën e jashtme dhe marrëdhëniet rajonale të Shqipërisë.
Duke folur për të ashtuquajturën “Platforma e Tiranës” të vitit 2017, Rama hodhi poshtë pretendimet se dokumenti ishte hartuar ose imponuar prej tij. Sipas tij, kërkesat në atë platformë ishin formuluar nga vetë partitë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, si kushte për pjesëmarrjen e tyre në qeveri.
Rama shtoi se është përpjekur të mos ndërhyjë në garat politike në vendet fqinje dhe se nuk ka mbështetur publikisht një forcë politike kundër një tjetre gjatë fushatave zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.
Ai shtoi se Kosova është shtet i pavarur dhe jo një territor që merr udhëzime politike nga Tirana.
“Kosova është shtet tjetër. Nuk është krahinë e Shqipërisë dhe nuk varet nga Shqipëria.”