Rama - opozitës: Doni të vini në pushtet, zgjedhjet janë vitin e ardhshëm - NACIONALE

Rama - opozitës: Doni të vini në pushtet, zgjedhjet janë vitin e ardhshëm

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, në një adresim para Kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, tha se ‘nuk e mohon që percepsioni për korrupsionin është një fenomen shqetësues’.

“Nuk dua ta mohoj percepsionin se korrupsioni është një fenomen shqetësues.

Ka ca që thonë edhe më keq. Jo. Realiteti i korrupsionit sot është realiteti i një kërcënimi nga një armik që është çdo ditë nga pak në zbythje sepse është një e pavërtetë shumë e madhe për të cilën zhurmojnë gojët e pa epura që nuk kanë lënë gjë pa thënë kundër nesh, nuk kanë lënë shpifje e sajesë pa amplifikuar.

Të thuash të kundërtën, deputetë, deputete, ministra, minister, të pavërtetat për punën tonë nuk mund të bëjmë tjetër vec se t’i kundërshtojmë me argumentet dhe punën tonë.

Ndërkohë, për të adresuar të vërtetat, për ato që nuk na pëlqejnë, në lidhje me praninë ende shqetësuese të korrupsionit dhe me nevojën e ngritjes së standardeve të qeverisjes, ne duhet të angazhohemi sot për ngritjen e një dallge të re reformimi institucional. Kjo është domosdoshmëri që buron nga dokumenti i diagnozës i Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Të gjithë duhet ta dinë se në BE nuk do ta integrohet qeveria e Shqipërisë, por shteti shqiptar”, tha Rama.

Ai tha se në rrugën e anëtarësimit në BE, nuk është e angazhuara vetëm qeveria, por janë edhe 27 institucione të angazhuara.

“Përvec qeverisë, në tryzën e anëtarësimit janë edhe 27 institucioneve të pavarura që kanë detyra konkrete.

Ka një detyrë horizontale për të tre pushtetet e pavarura, rezultate të mëtjeshme kundër korrupsionit, përmes reformimit dhe përpjekjeve.

Sikundër e thashë në mbledhjen e fundit, sot jemi gati për t’i paraqitur grupit parlamentar një project rezolutë, që të nisim përpjekjen për këtë angazhim gjithpërfshirës ku pa dyshim nuk mund të mendohet që të përjashtohen opozitat politike në Kuvend dhe jashtë saj”, tha Rama.

Ai pati një thirrje për opozitën shqiptare.

“Thirrja ime për të gjithë ata që janë kundër nesh, është shumë e thjeshtë – besoj, ne nuk iu ndryshojmë dot juve, prandaj luftën tuaj politike, vazhdoni si ta mendoni ju, me gjithë arsenalin tuaj që njohur ndër vite që dispononi.

Por le ta krijojmë një hapësirë, jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndaluar për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike ku jemi të ngërthyer secili, një vend pune të përbashkët, me aleatët tonë strategjik, BE dhe SHBA, me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, grupet e interest, për të adresuar jo dallimet tona, por procesin e mëtejshëm të shtetbërjes së Shqipërisë duke analizuar të gjitha hallkat e shtetit në këtë fazë si dhe duke identifikuar hapat që duhet ndërmarrë.

Tani ju thoni se e keni seriozisht se doni të vini në pushtet, dhe pavarësisht se çka mendojmë ne për këtë dëshirë tuajën, unë ju them se zgjedhjet janë vitin e ardhshëm.

Nëse me gjithë mend doni të vini në pushtet, atëherë ju duhet të jeni të parët që të jeni të interesuar për këtë iniciative sepse bota do vazhdojë të rrotullohet edhe pas zgjedhjeve të ardhshëm.

Çfarëdo çudie që na sjell koha pas zgjedhjeve, përsëri do të ketë qeveri dhe përsëri do të ketë opozitë.

Kështu që konsiderojeni këtë iniciativë tonën, si një mundësi tuaj. Për të filluar të mendoni se çka do t’ju duhet të bëni për rrugën evropiane, kur dëshira juaj për të ardhë në pushtet të plotësohet dhe ju të jeni qeveria.

Dhe keni parasysh se kjo iniciativë kërkon punë më të madhe, ende më të madhe se reforma në drejtësi.

Mua dhe ne që jemi këtu dhe që na gënjen mendja se do jemi këtu edhe për pesë vjet të paktën, me ndihmën e Zotit duam ta ngremë flamurin kombëtar në Bruksel dhe do jetë i pari në radhën e shteteve të BE-së sepse rasti e ka dashur që Albania fillon me A.

Uroj që ta kuptoni se në politikë ka edhe udhëkryqe. Kush refuzon ta marrë për inat të tjetrit, humbet rrugën.

Eksperienca juaj duhet t’ju thotë dicka për këtë”, tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme