Rama: Kërcënimi i Kurtit ndaj qytetarëve me buxhetin e shtetit është skandal shtetëror
Kryetari aktual dhe kandidati i LDK-së për Prishtinën, Përparim Rama, ka reaguar ashpër pas deklaratave të Albin Kurtit, i cili paralajmëroi se komunat që nuk votojnë kandidatët e Vetëvendosjes mund të mbeten pa përkrahje financiare nga buxheti i shtetit.
Rama e cilësoi këtë deklaratë si një “skandal shtetëror” dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe demokracisë në vend.
"KËRCËNIMI I KURTIT NDAJ QYTETARËVE ËSHTË SKANDAL SHTETËROR! Deklaratat e Albin Kurtit janë kërcënim i hapur ndaj demokracisë dhe qytetarëve të Kosovës. Askush nuk ka të drejtë t’i frikësojë qytetarët me buxhetin e tyre! Paratë publike nuk janë pronë e Kurtit, as e ndonjë partie janë pronë e popullit të Kosovës."
Ai akuzoi Kurtin se po përdor investimet shtetërore si mjet për shantazh elektoral, duke tentuar të blejë vullnetin e qytetarëve me para publike.
"Kurti po i përdor investimet shtetërore si mjet shantazhi elektoral, duke u përpjekur ta blejë vullnetin e njerëzve me para publike. Kjo është e turpshme, e rrezikshme dhe në kundërshtim me çdo parim demokratik."
Rama u zotua se si kryetar i Prishtinës nuk do të heshtë përballë këtij mentaliteti autokratik dhe se do të vazhdojë të qeverisë për të gjithë qytetarët, pa dallim partiak.
"Si kryetar i Prishtinës, nuk do të hesht përballë një mentaliteti autokratik që kërkon t’i ndajë qytetarët në “tanët” dhe “të tjerët.” Ne do të vazhdojmë të punojmë për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë partiake, sepse zhvillimi nuk vjen nga kërcënimi, por nga puna e ndershme. Kushdo që e përdor buxhetin e shtetit për të ndëshkuar apo shpërblyer votues, e ka humbur të drejtën morale për të udhëhequr."