Deputeti Kurti flet si kryeministër: Hap fushatën e balotazhit duke kërcënuar me buxhetin e shtetit - NACIONALE

Deputeti Kurti flet si kryeministër: Hap fushatën e balotazhit duke kërcënuar me buxhetin e shtetit

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Në hapje të fushatës për balotazh, Albin Kurti e nisi garën jo me vizion apo plane konkrete për qytetarët, por me një kërcënim, duke paralajmëruar në mënyrë indirekte se komunat që nuk zgjedhin kandidatët nga radhët e kësaj partie, do të mbeten pa mbështetje financiare.

Kurti u shfaq para qytetarëve sikur të ishte një kryeministër i rizgjedhur në tentativen e dështuar në seancën e fundit të Kuvendit, duke tentuar ta përdorë buxhetin e shtetit si mjet presioni politik.

“Te votoni për atë parti që në nivel qendror i ka rritur ndjeshëm rrogat e pensionet, bursat për studentë e shtesat për fëmijë – ndërkaq në nivelin lokal kudo që kemi qeverisur, kemi investuar shumë më tepër sesa paraardhësit tanë,” tha Kurti në nisje të fjalimit.

Duke iu referuar planit qeveritar prej një miliard euro për investime në komunat e Kosovës, Albin Kurti – ndonëse tashmë vetëm deputet i betuar që dështoi të formojë qeverinë – zgjodhi ta përdorë këtë si mjet presioni elektoral.

Ai u shpreh se këto mjete do të ndahen vetëm për ata që, sipas tij, “dinë të punojnë dhe nuk vjedhin.”

“Ne kemi premtuar dhe do ta mbajm fjalën, 1 miliard euro investime për komunat, por ju e dini, unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetar që nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë e nuk e duan punën, asa ata që dinë e duan të vjedhin, me ata nuk ka investime as zhvillim, siç nuk ka pasur për 20 vite pas luftës.”

Në një reagim bashkëngitur me një fotografi të Prishtinës, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku i është kundërpërgjigjur Kurtit duke thënë se "nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë" dhe " të bllokoni më askënd."

"Nuk do t’iu vie rendi të ndalni asgjë. Nuk do t’iu vie rendi të bllokoni më askënd. Me një panoramë Kryeqyteti, i cili po ndirçohet si asnjeherë më parë nga LDK dhe qeverisja jonë këtu, le të nisim javën e madhe të balotazhit." – shkroi Abdixhiku.

Kreu i LDK-së ftoi qytetarët që të dielen t'i japin "përgjigjen e madhe kryepopullistit."

"Le t’i japim përgjigjen e madhe kryepopullistit që veç bllokimit e kërcënimit për bllokim nuk ofron asgjë. Të dielen, me 9 nëntor, Prishtina flet e para! Të dielën me 9 nëntor Kryeqyteti i jep LDK-së atë që s’mund t’ia ndalin popullistët kurrë: besimin! Si triumf i kohës, si etapë e re për gjithë Kosovën. Prishtina flet e para! Pas saj, nga zgjedhjet lokale deri në ato nacionale le të flasë secili qytet, le të flasë e gjithë Kosova. Dritë do të ketë!"

Reagim ndaj deklaratave të Kurtit pati edhe nga nënkryetarja e Partisë Demokratike, Vlora Çitaku. Deputetja e PDK-së e cilësoi deklaratën si “skandaloze dhe kërcënim të hapur ndaj qytetarëve të Kosovës”.

“Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte. Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë.” – shkroi Çitaku.

Sipas saj, qeverisja e Kurtit është karakterizuar që nga dita e parë nga ndëshkimet politike ndaj komunave që nuk drejtohen nga Vetëvendosje.

“Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës. E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë. Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. A.K, ti fole sonte. Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin. Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet.” – përfundoi zonja Çitaku.

Vlen të theksohet se deklarata të tilla nga kreu i Vetëvendosjes nuk përfaqësojnë thjesht retorikë kërcënuese, por një realitet që kryetarët e komunave nga radhët e partive tjera e kanë përjetuar gjatë katër viteve të qeverisjes Kurti 2.

Në analizën e Institutit GAP për Projektbuxhetin e vitit 2024, ishte evidentuar se qeveria ka alokuar në mënyrë disproporcionale më shumë mjete për komunat e administruara nga VV-ja, të cilat përfaqësojnë vetëm 11.6 për qind të popullsisë.

“Këtë vit, vlera e investimeve kapitale të reja të nivelit qendror të destinuara për projekte specifike në komuna është 21.8 milionë euro. Ngjashëm me vitin e kaluar, edhe këtë vit, qeveria ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga Vetëvendosje (VV) ku mbi gjysma e kësaj shume (59.5% apo 13 milionë euro) janë orientuar në katër komunat e udhëhequra nga VV (Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime). Këto komuna përbëjnë 14.5% të sipërfaqes në Kosovë dhe 11.6% të popullsisë.” – ka gjetur GAP.

Lajme të ngjashme