Rama: Jemi 100% të fokusuar në lirimin e tre policëve të Kosovës
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se janë të fokusuar 100 për qind në lirimin e tre zyrtarëve policorë kosovarë të kidnapuar dje nga Policia e Serbisë.
Përmes një shkrimi në Twitter, Rama ka përmendur se misioni i KFOR-it nuk ka dalë ende me konkluzione publike për vendndodhjen e tyre.
“Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!” – ka shkruar ai.
Tutje, ai e ka theksuar se janë të fokusuar në lirimin e tyre, dhe se nuk ka paralele mes këtij rasti dhe personit që u arrestua në veri, nën dyshimet për sulmet atje.
“Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre! Nuk ka asnjë paralele mes tre policëve dhe personit me precedentë kriminalë të arrestuar nga policia e Kosovës në Veri! De-eskalimi mbetet prioriteti i prioriteteve dhe pikat e vendosura nga bashkësia euro-atlantike duhen përmbushur një orë e më parë.” – tha tutje ai.
1. Mesa duket KFOR-i nuk do të dalë me konkluzione publike për vendndodhjen e tre policëve të Kosovës.
— Edi Rama (@ediramaal) June 15, 2023
2. Pavarësisht pretendimeve të ndryshme për vendndodhjen, ata duhet të kthehen sa më parë në shtëpi!
3. Qysh dje ne jemi 100% të fokusuar tek lirimi i tyre!
Ndërkohë, të mërkurën, xhandarmëria serbe, dyshohet se kidnapoi tre zyrtarë policorë në pikën kufitare me Serbinë në veri të vendit.
Sipas Policisë së Kosovës, xhandarmëria serbe është futur 300 metra në territorin e Kosovës.
“Policia e Kosovës (PK), në këtë rast njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyre në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës, për të parandaluar shfrytëzimin e rrugëve ilegale, të cilat shfrytëzoheshin nga grupet kriminale për kalim ilegal dhe kontrabandë. Sot, në mesditë nga njësiti policor i cili ishte në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar, kanë njoftuar se në afërsi të pikës statike kanë vërejtur person/a të maskuar dhe të armatosur, me këtë rast në drejtim të kësaj pike në asistencë janë nisur njësi shtesë të PK-së.” – është thënë në komunikatën e policisë.
Faktori ndërkombëtar ende nuk ka reaguar në lidhje me këto zhvillime, duke i pritur informacionet e KFOR-it rreth situatës.