Rama ia prek nervin Vetëvendosjes, Mihali shpërthen me akuza të rënda
Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, është lëshuar në akuza të rënda ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, pasi ky i fundit akuzoi Qeverinë Kurti për propagandë, kontrata njëburimore dhe dështim në parandalimin e tragjedive.
Në postimin e saj në Facebook, Mihali e akuzoi Ramën se ka përdorur një tragjedi për sulme politike. Ajo vazhdoi me akuza edhe më të rënda ndaj kryetarit të kryeqytetit.
“Përparim Rama, ti narkotikun si e merr? Me kontratë njëburimore apo me ofertën me çmimin më të lirë, nga tre ofertat?”, ka shkruar Mihali.
Reagimi i saj erdhi pasi Rama kritikoi Qeverinë pas tragjedisë së fundit në autostradën "Ibrahim Rugova". Rama e cilësoi këtë si dëshmi të një qeverisjeje që, sipas tij, reagon vetëm pasi ndodhin pasojat.
Postimi i Ramës:
QEVERIA E PROPAGANDËS, E KONTRATAVE NJËBURIMORE DHE E TRAGJEDIVE QË MUND TË PARANDALOHESHIN!
Dje Kosova u zgjua me lajmin tragjik të humbjes së jetëve në autostradë. Sot u zgjua me lajmin se heqja e atij dheu, do t'u kushtojë qytetarëve 4.67 milionë euro.
Një tjetër ditë ku qytetarët paguajnë çmimin me jetë dhe me taksa, ndërsa pushteti vazhdon të jetojë në realitetin e propagandës së vet.
Për vite me radhë nuk u largua dheu nga autostrada, por sot gjenden miliona euro për kontrata. Plot 4.67 milionë euro për heqjen e dheut. Kjo është fotografia më e qartë e një qeverisjeje që reagon vetëm kur është tepër vonë.
Albin Kurti vazhdon të flasë për shtetin që e ka gjetur "në bodrum me gjysmë metri ujë". Shtetin e gjete me autostrada të ndërtuara, ndërsa sot nuk arrin as t'i mirëmbash. Për çdo dështim fajin e ka e kaluara, ndërsa për çdo propagandë meritat i merr vetë.
Një pushtet që investon më shumë në propagandë sesa në zgjidhjen e problemeve reale nuk përfaqëson ndryshimin që premtoi. Ai përfaqëson arrogancën, paaftësinë dhe kulturën e justifikimeve të pafundme, ndërsa pasojat i paguajnë qytetarët me jetën e tyre dhe me taksat e tyre.