Rama: Akuzat e opozitës janë shpifje ekstreme
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i është kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për përfshirjen e tij në çështjen “McGonigal”.
Në llogarinë e tij në “Twitter”, ai ka shkruar se të gjitha pretendimet e opozitës janë shpifje.
“Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë", ka shkruar ai, duke mohuar çdo pretendim të opozitës.
"Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim”, është shprehur Rama.
Sipas tij, akuzat e opozitës janë abuzim me lirinë e shprehjes.
“Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”, ka shkruar Ram.
Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.
— Edi Rama (@ediramaal) February 2, 2023