Kryetari i KQZ-së në shkelje të vazhdueshme të Ligjit për Zgjedhjet, i mbyll mbledhjet kur “shpërndahen” vizitat jashtë Kosovës
Kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit, duket se nuk i pëlqen shumë prania e mediave në mbledhjet e këtij institucioni. Prej marrjes se kësaj pozite në vitin 2021, ai jo rrallë ka kërkuar nga mediat që të lëshojnë sallën e mbledhjeve të KQZ-së, pa treguar qartazi pse po mbyllet mbledhja për publikun.
Në këtë mënyrë, ai ka vepruar në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme të Republikës së Kosovës, i cili thotë se këto mbledhje duhet të jenë trasparente.
Ligji në fjalë, që rregullon funksionimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në nenin 63 tregon se mbajtja e mbledhjeve të hapura është obligim.
Aty specifikohet se kur ato mund të mbyllen.
“Takimet e KQZ-së janë të hapura për publikun, përveç kur diskutohet për çështje lidhur me personelin e KQZ-së dhe SKQZ-së”, thuhet në paragrafin 9 të nenit 63 të këtij ligji.
Mirëpo, ky obligim ligjor nuk po respektohet si duhet kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqin, i cili njëkohësisht është edhe gjyqtar në Gjykatën e Apelit.
Gazeta Nacionale ka grumbulluar disa raste kur Radoniqi, si kryesues i mbledhjeve të KQZ-së, ka vepruar në kundërshtim të plotë të ligjit.
Pavarësisht se Ligji për Zgjedhjet kërkon që vetëm kur diskutohet për personelin e KQZ-së dhe SKQZ-të mbledhjet të mbyllen për publikun, Radoniqi i ka larguar mediat nga mbledhjet e këtij institucioni edhe kur është diskutuar pika e rendit të ditës që kishte të bënte me udhëtime dhe vizita zyrtare të KQZ-së jashtë Republikës së Kosovës.
Në këtë mënyrë, diskutimet për këtë pikë të rendit të ditës dhe përcaktimi i personave që do të udhëtonin jashtë vendit, është bërë larg syrit të publikut.
Për veprime të tilla të Radoniqit janë shprehur të shqetësuar edhe anëtarët e KQZ-së.
Gazeta Nacionale ka biseduar me një anëtar të KQZ-së, i cili nuk ka dashur që të identifikohet.
“Kjo është shqetësuese. Një veprim i tillë nuk është në përputhje me ligjin”, ka thënë një anëtar i KQZ-së.
Gazeta Nacionale ka përmbledhur videot nga disa mbledhje të KQZ-së, kur është diskutuar për vizita jashtë vendit dhe që Radoniqi i ka mbyllur ato në kundërshtim me ligjin.
Aty është diskutuar për pjesëmarrje në vizita jashtë vendit dhe në ngjarje apo konferenca, në asnjë moment nuk është diskutim për personelin.
Në njërën nga videot e mbledhjeve të KQZ-së, të datës 8 shkurt 2023, kur pritej që KQZ-ja të vendoste se kush do të shkonte për vëzhgimin e zgjedhjeve në Estoni, kush për në ato të Finlandës dhe kush në Mal të Zi, Radoniqi vendos ta mbyllë mbledhjen pa asnjë shqetësim se po vepronte në shkelje të ligjit.
“Pikën e radhës për marrëdhënie me jashtë do ta mbajmë të mbyllur për publikun, nëse s’prishë punë, dhe na lironi sallën,”, kishte thënë Radoniqi, duke qeshur.
Edhe në mbledhjen e 15 gushtit 2023, Radoniqi u kërkon mediave që ta lirojnë sallën. Por, paraprakisht ai ndryshon renditjen e pikave të rendit të ditës me qëllimin e vetëm që ta mbyllë mbledhjen e KQZ-së kur do të caktoheshin personat që do të shkonin në punëtori në Republikën Çeke.
“Këshillin për Marrëdhënie me Jashtë e kisha qitë në vend të Komitetit të Auditimit, meqenëse është pikë e mbyllur. Pika e radhës është e mbyllur, sepse do të kemi për marrëdhënie me jashtë”, iu drejtohet mediave i pari i KQZ-së.
Në mbledhjen tjetër të KQZ-së, të datës 1 mars 2024, Radoniqi qeshet derisa u kërkon mediave ta lirojnë sallën. Sipas agjendës së mbledhjes, në rend dite ishte vizita në Republikën Çeke.
“S’kem tjetër. Dy pikat që i kemi, i kemi të mbyllura, Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë dhe Këshilli për Personel. Pikat e radhës janë të mbyllura për publikun, nëse keni mundësi me na liru sallën. Ajo çka ke e rëndësishme u votu shpejtë.”
Gazeta Nacionale ka disa ditë që i ka dërguar pyetje kryetarit të KQZ-së për të kërkuar sqarime se pse mbyllja e mbledhjeve është bërë praktikë, por deri në publikimin e këtij shkrimi i pari i KQZ-së nuk ka dhënë asnjë sqarim.
Mbyllja e mbledhjeve s`duhet të bëhet praktikë
Ish-anëtari i KQZ-së, Blerim Burjani, ka bërë me dije se mbledhjet e KQZ-së mund të mbyllen vetëm me sqarime të qarta.
Në një prononcim për gazetën Nacionale, ai ka thënë se mbyllja e shpeshtë e mbledhjeve dëmton transparencën e këtij institucioni.
“Ka pas situata edhe me herët kur KQZ ka mbyllë mbledhjet për pjesëmarrje për publikun, por edhe monitoruesit, ndjeshmëria në temat e caktuara dhe ruajtja e funksionimit të qëndrueshëm dhe pa presion publik. Pra, ideja ishte gjithmonë që mos të këtë keqinterpretim të vendimeve dhe nxitja e debateve publike që mund të ndikojnë në punën efektive të KQZ. KQZ-ja mund t`i mbyllë mbledhjet por duhet të sqaroj arsyet në mënyrë që të mos këtë probleme me transparencën. Tash mbyllja bëhet me pajtueshmëri të të gjithë anëtarëve të KQZ-së ose me shumice votash”, ka thënë Burjani.
Ai ka bërë me dije se mbyllja e mbledhjeve nuk duhet të bëhet praktikë.
“Për ruajtjen e procesit dhe efikasitetit të këtij institucioni, natyrisht se nuk mund të ndodhë kjo shpesh. Pra, kjo mbyllje e takimeve sepse atëherë mund të flitet se diçka e keqe po ndodhë. Unë pajtohem me atë çka thotë ligji për zgjedhjet, por po flas për praktiken e KQZ-së, unë i përmenda disa raste për te ruajtur kredibilitetin institucional. Nuk kisha thëne se është pozitive, sepse publiku mendon se po fshihet diçka prapa, pra ka tentative dhe mendime të kësaj natyre, andaj KQZ-ja duhet të jetë e kujdesshme”, ka thënë Burjani.
Me mbylljen e mbledhjeve të KQZ-së, në kundërshtim me ligjin, kryetari i KQZ-së po rrezikon edhe postin e tij.
Neni 61 i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, parasheh rastet se kur mund të ndërpritet mandati i kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtar të KQZ-së.
Dështimi në plotësimin e kushteve dhe kritereve që dalin nga ky ligj apo pengimi punës dhe funksioneve ligjore të KQZ-së, janë dy nga rrethanat që mund të ndikojë në përfundimin e mandatit me efekt të menjëhershëm.
“Mandati i kryesuesit të KQZ-së apo cilitdo anëtar të KQZ-së mund të ndërpritet përmes dorëheqjes ose nga Presidenti i Kosovës, me efekt të menjëhershëm, në rrethanat e mëposhtme: 7.1. kryesuesi apo anëtari dështon në plotësimin e kushteve dhe kritereve që dalin nga ky ligj; 7.4.3. pengon punën dhe funksionet ligjore të KQZ-së”, thuhet në nenin 61 të ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.