Raci: Albin Kurti mund të jetë fituesi më i madh në zgjedhjet në Maqedoni, po del xhelati i Ballkanit të Hapur - NACIONALE

Raci: Albin Kurti mund të jetë fituesi më i madh në zgjedhjet në Maqedoni, po del xhelati i Ballkanit të Hapur

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Analisti Gazmir Raci ka shpërthyer në lëvdata për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Raci ka thënë se Kurti është kthyer në xhelatin e Ballkanit të Hapur.

Sipas tij, Kurti mund të jetë fituesi më i madh në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut.

Postimi:

Pse Albin Kurti mund të jetë fituesi më i madh në zgjedhjet në Maqedoni të Veriut?

Nuk mbaj në mend që kaq shumë të kenë pasur vëmendje mediatike në Kosovë zgjedhjet presidenciale e parlamentare në Maqedoni të Veriut. Një arsye e madhe është edhe përfshirja e Kurtit dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE! në këto zgjedhje. Ndonëse edhe të tjerët para Albin Kurtit, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, janë përfshirë e përzirë në zgjedhjet atje. Por ka një dallim të madh edhe në vemendjen por edhe në qëllime. Ata para tij e bënin tinëzisht e për interesa të ngushta. Kurse Albin Kurti po e bënë publikisht dhe për interesa të Kosovës dhe shqiptarëve.

Thelbi i krejt kësaj punë është Ballkani i Hapur. Deri së fundmi Ballkani i Hapur i kishte tre shtete brenda (Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut) dhe tre jashtë (Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinën). Pra gjysma e shteteve të Ballkanit Perëndimor ishin jashtë kësaj iniciative. Suksesi i saj varej dhe vazhdon të varet nga gjithpërfshirja. Të paktën vetëm ashtu e ka mbështetjen e Amerikës dhe BE-së. Pas zgjedhjeve në Mal të Zi, humbjes së Gjukanoviçit dhe fitores së Milatoviçit, Ballkani i Hapur e fitoi një mbështetës më shumë, e Kurti e humbi një aleat. Gjukanoviç ishte kritik dhe kundër kësaj nisme, e Milantoviç në anën tjetër njihet si pro-serb. Rezultati i bë 4-2 për Ballkanin e Hapur.

Zgjedhjet në Maqedoni të Veriut ishin mundësia e Kurtit për të barazuar rezultatin. Por jo vetëm e Kurtit, por e të gjithë shqiptarëve në Ballkan për t'u mobilizuar kundër një ideje që vendlindjen e ka në Novi Sad të Serbisë, e emrin e lindjes, mini-shengen.

Momentin kur Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, paralajmëroi largimin e Maqedonisë së Veriut nga Ballkani i Hapur, rezultati u bë 3-3. Bujar Osmani dhe BDI nuk kishin dalë me këtë paralajmërim pa presionin që vinte nga VLEN, që po ashtu është kundër Ballkanit të Hapur. Kushtëzimi i krijimit të qeverisë së ardhshme të Maqedonisë së Veriut me largimin nga Ballkani i Hapur është fitorja e Albin Kurtit, Kosovës dhe shqiptarëve nga zgjedhjet në Maqedoni.

Për ata që mendojnë që Kosova është e vogël dhe e dobët për të diktuar politikat rajonale, Albin Kurti po del të jetë xhelati i Ballkanit të Hapur.

Lajme të ngjashme