Qysh po ndryshon Kosova: Vend më i tkurrur, më urban dhe në plakje të përshpejtuar
Kosova po tkurret me shpejtësi, po urbanizohet me të madhe dhe po përballet me plakje të popullsisë.
Sipas regjistrimit të ri të ASK-së, popullsia e Kosovës ka rënë nga 1,780,024 banorë sa ishte në vitin 2011, në 1,602,515 në vitin 2024.
Shifra prej 177,509 personash më pak tregon se popullsia ka rënë me 10% nga njëri regjistrim te tjetri, me mesatare prej 0.8% në vit. Tkurrja ishte pak më e ndjeshme te burrat, me 9.2%, sesa te gratë, ku rënia ishte 8.6%.
Popullsia gjithsej ra me 10% në 13 vjet — 177,509 banorë më pak.
| Treguesi | 2011 | 2024 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Popullsia gjithsej | 1,780,024 | 1,602,515 | −10.0% |
| Rënia te burrat | — | — | −9.2% |
| Rënia te gratë | — | — | −8.6% |
| Mesatarja vjetore e rënies | — | — | −0.8%/vit |
Vendi po zbrazet nga poshtë dhe po mbushet nga lart — ndryshimi sipas grupmoshës.
| Grupmosha | Ndryshimi 2011→2024 |
|---|---|
| 0–14 vjeç | −28.6% |
| 15–24 vjeç | −23.6% |
| 65–79 vjeç | +50.0% |
| 80+ vjeç | +69.4% |
| 80+ vjeç, burra | +79.9% |
Zbrazëtirë e dukshme te mosha 25–45 vjeç, si te burrat ashtu edhe te gratë.
Popullsia urbane u rrit kryesisht përmes zgjerimit të kufijve komunalë.
| Treguesi | 2011 | 2024 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Popullsia urbane | 38.0% | 50.2% | +12.2pp |
| Sipërfaqja urbane (km²) | 187 | 247 | +32.1% |
| Territori urban (% i vendit) | 1.7% | 2.3% | +0.6pp |
| Dendësia (banorë/km²) | 163 | 147 | −9.8% |
Familja mesatare u tkurr, jetesa në vetmi pothuajse u trefishua.
| Treguesi | 2011 | 2024 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Anëtarë mesatarë / familje | 5.9 | 4.3 | −27.1% |
| Familje njëanëtarëshe | 2.9% | 7.0% | ≈3× |
Përparime në arsim dhe treg pune, grupmosha 25–64 vjeç.
| Treguesi | 2011 | 2024 | Ndryshimi |
|---|---|---|---|
| Kualifikim arsimor (mesëm i lartë+) | 49.5% | 62.5% | +13.0pp |
| Kualifikim arsimor — gra | 32.9% | 51.0% | +18.1pp |
| Papunësia e të rinjve | 64.6% | 19.3% | −45.3pp |
| Aktivizimi i grave në punë | 28.6% | 36.1% | +7.5pp |
Më pak fëmijë, më shumë të moshuar
Por ajo që bie më shumë në sy është ndryshimi i moshës së popullsisë. Fëmijët deri në 14 vjeç janë zvogëluar me 28.6% (rreth 2.5% çdo vit), ndërsa të rinjtë nga 15 deri në 24 vjeç kanë rënë me 23.6% (2.1% në vit).
Nga ana tjetër, të moshuarit nga 65 deri në 79 vjeç janë rritur me gati 50% (3.1% çdo vit). Ndërsa rritjen më të madhe në tërë vendin e patën ata mbi 80 vjeç, që u shtuan me 69.4% (4.2% në vit). Te ky grup i fundit, burrat u shtuan edhe më shpejt se gratë, duke shënuar një rritje prej 79.9%.
Si rezultat, mosha e popullsisë ka ndryshuar fort brenda vetëm një gjenerate. Për ta krahasuar, në vitin 2011 fëmijët deri në 14 vjeç përbënin 28% të popullsisë, kurse të moshuarit mbi 65 vjeç ishin vetëm 6.7%.
Kurse në vitin 2024, përqindja e fëmijëve ra në 21.9%, ndërsa ajo e të moshuarve pothuajse u dyfishua duke arritur në 11%. Regjistrimi tregon edhe një tjetër gjë shqetësuese: ka zbrazëtirë të madhe te njerëzit e moshës 25 deri në 45 vjeç, si te burrat, ashtu edhe te gratë.
Urbanizimi në rritje dhe zbrazja e fshatrave
Raporti tregon se, krahas rënies së popullsisë, Kosova po urbanizohet me hapa të shpejtë.
Përqindja e njerëzve që jetojnë në qytete u rrit nga 38% në vitin 2011, në 50.2% në vitin 2024. Ky ndryshim nuk ka ardhur domosdoshmërisht nga ndonjë dyndje e madhe drejt qendrave urbane, po edhe zgjerimin e kufijve të qyteteve përmes planeve të reja komunale dhe kthimin e disa fshatrave në zona urbane.
Si rrjedhojë, hapësira urbane e vendit u zgjerua nga 187 km² (1.7% e territorit) në 247 km² (2.3%). Në të njëjtën kohë, dendësia mesatare e popullsisë në mbarë vendin shënoi rënie, duke zbritur nga 163 në 147 banorë për kilometër katror.
Dallimet mes komunave mbeten mjaft të thella. Zveçani ka humbur 56.7% të popullsisë që nga viti 2011, i ndjekur nga Kamenica me 51.5%, Zubin Potoku me 48.8% dhe Novobërda me 33.2%.
Fushë Kosova nga ana tjetër pati rritje të jashtëzakonshme prej 83.6%, Parteshi u rrit me 81.3%, Graçanica me 73.2%, ndërsa vetë kryeqyteti, Prishtina, shënoi një rritje më të moderuar prej 14.4%.
Tkurrja e familjeve dhe rritja e jetesës në vetmi
Këto lëkundje demografike janë pasqyruar edhe në strukturën e ekonomive familjare.
Numri mesatar i anëtarëve për familje në Kosovë u tkurr nga 5.9 në 4.3 persona përgjatë këtij ndërmjetësie kohor. Ndërkaq, familjet njëanëtarëshe u rritën nga 2.9% në 7.0% të numrit të përgjithshëm, duke u trefishuar pothuajse brenda 13 viteve.
Regjistrimi nxjerr në pah edhe disa tregues pozitivë. Niveli i kualifikimit arsimor për popullsinë e moshës 25–64 vjeç (me arsim të mesëm të lartë apo universitar) u rrit nga 49.5% në 62.5%, me progres të theksuar te gratë, ku shifra u zhvendos nga 32.9% në 51.0%. Gjithashtu, papunësia e të rinjve shënoi rënie domethënëse nga 64.6% në 19.3%, ndërsa shkalla e aktivizimit të femrave të moshës 25–64 vjeç në tregun e punës u rrit nga 28.6% në 36.1%.