Si ishte ekonomia e Kosovës më 2023, sipas opozitës?
Viti 2023 ka qenë vit i sfidave të ndryshme ekonomike si inflacioni, shtrenjtimi i rrymës, çështja e pagave, ikja e punëtorëve e të tjera. Por çfarë (s)bëri Qeveria e Kosovës sipas deputetes së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami dhe Koordinatorit për Financa të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arben Mustafa. Me cilat vendime gaboi e cilat ishin dështimet e qeverisë gjatë viti 2023 dhe çka propozojnë Bajrami e Mustafa për vitin 2024? Këto janë disa nga pyetjet, përgjigjet e të cilave mund t’i lexoni më poshtë.
Përplasjet “ekonomike” nuk munguan gjatë viti që e përfunduam. Partitë opozitare kritikuan pushtetin dhe qasjen e tyre në vendimet për fushën ekonomisë. Në një intervistë për Nacionale, Bajrami e LDK-së e Mustafa e PDK-së, renditën disa nga dështimet e Qeverisë Kurti.
Dështimet në ekonomi të Qeverisë Kurti
Për Mustafën tri gabimet të cilat i bëri qeveria gjatë vitit 2023 ishin, rritja e tatimit në pronë, buxheti për vitin 2024 për shkak të mungesës së projekteve si dhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë elektrike.
“Rritja e tatimit në pronë - Në kushtet e ballafaqimit më të rëndë që qytetarët e Kosovës ndonjëherë kanë pasur me inflacionin dhe pa pasur asnjë mbështetje domethënëse për t’u përballur me çmimet e larta, Qeveria e Kosovës ua rëndoi barrën edhe më shumë duke ua dyfishuar faturën e tatimit në pronë.” – ka thënë Mustafa.
“Buxheti për vitin 2024 – Ajo që vërehet qartë në këtë buxhet është vazhdimi i ndryshimit të strukturës së buxhetit në dëm të shpenzimeve kapitale dhe në favor të shpenzimeve për subvencione dhe transfere. Me këtë, kjo qeveri po e zhvendos shpenzimin e parasë publike nga kategoria më e rëndësishme për zhvillimin ekonomik dhe rritjes së mirëqenies, drejtë kategorive të cilat vetëm financojnë skema populliste të kësaj qeverie që nuk lë asnjë gjurmë në zhvillimin ekonomik të vendit.” – ka thënë ai.
“Shtrenjtimi i mëtejmë i tarifave të energjisë elektrike, mbi rritjen prej 100% që kishte ndodhur në vitin e kaluar” – ka thënë Mustafa për Nacionale.
Ndërkaq, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka përmendur rritjen e çmimeve dhe qasjen “indiferente” të qeverisë dhe menagjimin e krizës energjetike për të cilën sipas saj, Qeveria Kurti nuk ka marrë ndonjë veprim.
“Kur jemi te enrgjia duhet të potencohet se përpos reduktimeve që kanë ndodhë edhe gjatë muajve të verës, kemi pasë dy herë ngritje të çmimit të energjisë elektrike; shpenzimi në katër komunat veriore tanimë e ka kalua 120 milionë euro, janë dhënë dhjetra miliona në subvencione, por nuk është që po shihen efektet e tyre.” – ka thënë ajo.
Tutje, ajo ka përmendur premtimet e tjera që Qeveria Kurti nuk i ka përmbushur.
“Nuk ka qytetarë që nuk i kujton premtimet e Kurtit se energjia duhet të lirohet se ne rrimë mbi gjithë këtë energji, se produktet bazë do të kushtojnë më lirë sepse TVSH-ja për këto produktet do të bëhet zero, se do të rritet paga minimale, Qeveria nuk do t’i tatimoj qytetarët për burimet e jetesës, banesa për qifte të reja, 160 qerdhe, rrugë infrastrukturë, Bankë Zhvillimore, Fond Sovran e dhjetra premtime të tjera që sot pas 32 muajve asnjëra nuk është realizuar – asnjëra.” – ka theksuar ajo.
Bajrami por edhe Mustafa medojnë që mungesa e investimeve kapitale është një ndër dështimet e Qeverisë Kurti.
Për Mustafën e PDK-së, një dështim tjetër është edhe mungesa e mbështetjes së qytetarëve për t’u përballur me rritjen e çmimeve si dhe zhvillimin e sektorit privat dhe rënien e eksporteve.
Ndërsa, Bajrami ka theksuar se rreth 1 miliardë euro gjatë këtyre muajve të Qeverisë Kurti kanë qëndruar jashtë ekonomisë.
“Në përkeqësimin e gjendjes ekonomike ka ndikuar shumë edhe mos puna e Qeverisë, kemi pasë ekzekutim minimal të investimeve kapitale: viti 2021 ka qënë në nivel me vitin 2020 kur kishte pandemi dhe mbyllje totale, në vitin 2022 shpenzimet arritën në 60% dhe në vitin 2023 nga 819 milionë euro të parapar vetëm 263 milionë euro janë ekzekutuar në nëntëmujorin e këtij viti. Për këta 32 muaj të Qeverisë Kurti jashtë ekonomisë kanë qendru rreth 1 miliardë euro taksa të qytetarëve, mjete këto të destinuara për investime kapitale të cilat në vend se të rezultonin me rrugë, qerdhe, spitale e të kishin efekte multiplikuese në ekonomi, kanë qendru në llogari të qeverisë dhe janë zhvlerësu për normën e inflacionit.” – ka thënë Bajrami.
Çka duhet të bëjë Qeveria Kurti më 2024?
Mustafa ka dhënë edhe rekomandimet e tij se çfarë duhet të bëjë Qeveria Kurti gjatë viti 2004.
“Realizimi i investimeve të buxhetuara kapitale. Rritja e kapaciteteve energjetike dhe furnizimi i energjisë me çmime të përballueshme për qytetarët. Ofrimi i mbështetjes së qëndrueshme për qytetarët për tu përballur me rritjen e shpenzimeve të jetesës.” – janë tri veprimet që ka renditur Mustafa.
Ndërkaq deputetja e LDK-së ka thënë se Qeveria Kurti duhet t’i kryej premtimet që i ka bërë kur erdhi në pushtet.
“Sa ju përket premtimeve që i përmenda në fillim, ato premitme LVV do t’i vlejnë edhe për fushatën tjetër sepse asnjë nuk e ka realizu -asnjë.” – ka thënë ajo.
Në anën tjetër nga AAK-ja nuk janë përgjigjur në pyetjet e Nacionales, por në një deklarim të bërë nga kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj, ka thënë se viti 2023 ishte vit sifdues për ekonominë e vendit e në veçanti për sektorin privat.
Haradinaj pret që viti i ardhshëm të jetë vit i ktheses dhe më dinamik për ekonominë e vendit.
"Viti 2023 ishte një vit sfidues për ekonominë e vendit e në veçanti për sektorin privat. Shpresoj se viti që po vjen të jetë një vit më dinamik dhe me frytdhënës për ekonominë e vendit, një vit i kthesës drejt perspektivës për zhvillim të gjithëmbarshëm.” – ka thënë Haradinaj.