Qysh i ndërroi fjalët Vjosa Osmani për mospajtimet me Kurtin brenda 1 minuti?
Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, mbrëmë dha një intervistë relativisht të gjatë për “Top Story”, që udhëhiqet nga Grida Duma. Në këtë intervistë, Osmani ishte jashtëzakonisht e kujdesshme të përzgjidhte termet e fjalitë e përdorura për të përshkruar situatën politike në Kosovë. Por kishte edhe një shkarje logjike, e cila u shpërfaq me gjuhën e përdorur nga Osmani në lidhje me raportet me Albin Kurtin, kryeministër i Kosovës. Çka ndodhi?
Gjatë emisionit, zonja Osmani u përball me një pyetje interesante. Moderatorja Duma e pyeti në lidhje me raportet me Kurtin, më saktë, për harmoninë mes saj e Kurtit.
“Harmonia e juaj me kryeministrin (Kurti v.j.) është në nivelet që duhet apo duhet herë pas here të riakordohen, le të themi kështu, se s’dua të them konflikte se ajo s’mund të jetë?” – ishte pyetja e gazetarës Duma.
Fillimisht, Osmani vlerësoi se nuk ka konflikte mes saj e Kurtit. Megjithatë, sipas Osmanit, ekzistojnë nuanca për tema të ndryshme, të cilat ajo i vlerësoi si krejtësisht normale.
“Nuk mund të themi që kemi konflikte, ka nuanca, është krejtësisht normale. Është krejtësisht normale që ka nuanca për tema të ndryshme, nga temat e brendshme deri te temat e diskutimeve, bashkërendimeve me aleatët. Mirëpo qëllimet i kemi të njëjta edhe rreth temave të brendshme, sidomos rreth luftimit të krimit dhe korrupsionit, që është parakusht i suksesit të Kosovës për çdo temë tjetër” – tha Osmani.
E kur nisi të shpjegojë pak më gjerësisht në lidhje me nuancat e dallimeve, Osmani e përdori një togfjalësh që nuk përkon me termin nuancë. Osmani theksoi se ka debate të gjata dhe “nganjëherë nuk pajtohet” me Kurtin me javë të tjera.
“Nuancat janë krejtësisht normale. Ka nuanca, kemi debate të gjata, nganjëherë nuk pajtohemi me javë të tëra në këto debate, por e arrijmë pastaj një pajtim.” – shtoi ajo.
E pastaj zonja Duma e pyeti se si e menaxhojnë komunikimin kur nuk ka pajtim mes saj e Kurtit. Përgjigja e komandantes supreme ishte si vijon:
“Ne komunikojmë, nuk e ndërprejmë komunikimin në asnjë moment, edhe kur kemi mospajtime të mëdha. Kjo është besoj edhe formula e arritjes së pajtimit pastaj dhe fakti që e respektojmë shumë mendimin e njëri-tjetrit dhe besojmë në qëllimet e përbashkëta që i kemi, që janë interesi i Kosovës, interesi i qytetarëve të saj na sjell prapë në një pikë të përbashkët. Por as nuk i kursejmë kritikat të them shumë sinqerisht.”
Pra zonja Osmani në përgjigjën e tretë e fut në diskursin e saj një togfjalësh të ri në lidhje me marrëdhënien e saj me Kurtin: mospajtime të mëdha. Nga nuanca krejtësisht normale, Osmani deklaroi se me Kurtin ka mospajtime e debate me javë të tëra. Në fund, Osmani vlerësoi se ekziston komunikimi i saj me Kurtin edhe kur kanë mospajtime të mëdha.
Të gjitha këto kapërcime gjuhësore, Osmani i bëri për më pak se një minutë. Më saktësisht Osmani e fillon përgjigjen në minutën 28:52, ku përmenden nuancat krejtësisht normale dhe e përfundon përgjigjen në ora minutën 29:42, ku Osmani flet për mospajtimet e mëdha me Kurtin.
