"Duhet ta bëjmë ndryshe": Qysh e pranoi Kurti publikisht sabotimin katërvjeçar të projekteve madhore për kryqytetin - NACIONALE

"Duhet ta bëjmë ndryshe": Qysh e pranoi Kurti publikisht sabotimin katërvjeçar të projekteve madhore për kryqytetin

10 muaj më parë

nga Flakon Demaku

Tashmë e artikuluar haptazi edhe para kamerave: Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje – që vazhdon të ushtrojë postin e kryeministrit në detyrë – Albin Kurti e pranoi pa asnjë drojë, ballë për ballë me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, sabotimin katëvjeçar që i është bërë nga Qeveria e udhëhequr nga ai.

Kurti u shpreh pa mëdyshje se, të paktën deri në momentin kur qytetarët e Prishtinës do të zgjedhin një kryetar të ri nga radhët e VV-së, Rama nuk do të ketë mbështetje nga Qeveria.

“Kemi edhe investime të tjera, por... investimet madhore, të cilat janë shumëvjeçare, ato natyrisht që kërkojnë planifikime të tjera”, deklaroi Kurti, duke u zotuar paturpësisht për një standard të dyfishtë: jo si garant i neutralitetit institucional, por si kujdestar politik që jep mbështetje selektive; bujar për komunat që drejtohen nga Vetëvendosje dhe penalizues për të tjerat, veçanërisht për Prishtinën.

Në një aktivitet për një çerdhe të re në Bardhosh, Rama – me tone të matur, por të qarta – i bëri thirrje publike Kurtit për zhbllokimin e buxhetit të Komunës së Prishtinës. "Kisha dashtë me iu lutë kryeministrit në detyrë që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit", tha Rama, duke rikujtuar se projekte jetike si Unaza e Prishtinës, me një vlerë mbi 200 milionë euro, po mbesin peng i kalkulimeve politike.

Rama, ndonëse i margjinalizuar institucionalisht nga qeveria qendrore për katër vite, foli pa mllef, por me shqetësimin e një drejtuesi lokal që për katër vite tha se nuk është pritur as në një takim zyrtar nga Kurti. Thirrja pa protagonizëm, por për bashkëpunim institucional. “I lutem publikisht që nëse është ende në detyrë pas zgjedhjeve lokale ku unë prapë do të jem kryetar i kryeqytetit, që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë për të mirën e kryeqytetit”, shtoi Rama.

Por ishte pikërisht përgjigjja e Kurtit ajo që e ktheu situatën në një situatë dëshpërimi për zhvillimin e Prishtinë. "Ky është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër", tha Kurti, duke nënkuptuar vazhdim të hapur të sabotimit.

Thirrja e plotë e kryetarit Rama: “Është mirë kur kemi një bashkëpunim mes nivelit qendror dhe kryeqytetit dhe po e shohim tash një fillim të mirëfilltë këtu me një çerdhe në Bardhosh. Kemi edhe një numër të madh të projekteve në kryeqytet që unë kisha dashtë me iu lutë kryeministrit në detyrë këtu publikisht që të zhbllokojë buxhetin e kryeqytetit i cili tashmë është i bllokuar. Projektet e mëdha si Unaza e Kryeqytetit për shembull që është 206 milionë, 82.4 milionë prej tyre janë faktikisht falas. Edhe ato mund t’i shtyjmë përpara. Janë projekte për Prishtinën, për kryeqytetin. Po ashtu të takohemi sepse s’jemi takuar ende që katër vite unë dhe kryeministri për të mirën e kryeqytetit.”

Deklarata e Kurtit: “Unë e kam takuar kryetarin e komunës së Prishtinës disa herë, në zyrën time dhe... investime janë 12 milionë e 234 mijë euro në fushën e arsimit në kryeqytet. Këtu jemi për fushën e arsimit, jo për çështjet e tjera. Kemi edhe investime të tjera, por... investimet madhore, të cilat janë shumëvjeçare, ato natyrisht që kërkojnë planifikime të tjera. E... kjo është një plan shumëvjeçar, të cilin duhet ta bëjmë ndryshe, mbase me dikë tjetër. E kryetari Rama pas vjeshtës duhet të gjejë një punë tjetër.”

Kundërpërgjigja e Ramës: “Unë sigurisht që duhet të vazhdoj si kryetar i kryeqytetit. Prapë i lutëm publikisht që nëse është ende në detyrë pas zgjedhjeve lokale ku unë prapë do të jem kryetar i kryeqytetit, që të kemi një bashkëpunim të mirëfilltë për të mirën e kryeqytetit. Mos ta sabotojë kryeqytetin që katër vite tash vetëm pse unë nuk jam anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje. Pra e kanë sabotuar së bashku me Hajrullah Çekun i cili pretendon që ia dëshiron të mirën kryeqytetit, ndërsa e kanë sabotuar që katër vite. Unë inate nuk mbaj. Unë do të jem prapë kryetar.”

Lajme të ngjashme