Quni për Isufajn që u sulmua nga Kurti: "E njoh personalisht, ai i doli zot atdheut në UÇK në ditët më të vështira''
Deputeti i LDK-së, Anton Quni, sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, foli për Prokurorin Blerim Isufaj që ishte sulmuar ashpër nga Albin Kurti.
Ai tha se Isufaj u përfol nga zyrtarët e lartë shtetërorë, të mbështetur edhe nga analistët lojalë të partisë në pushtet, duke e cilësuar Isufajn si të padenjë për detyrën që e ushtron.
Deputeti i LDK-së tha se Isufaj, nga partia në pushtet u etiketua si shantazhues, sabotues, idhnjak e tekanjoz.
"Përkundër mandatit të tij dhe autorizimeve ligjore, u përfol e u etiketua si shantazhues, sabotues, idhnjak e tekanjoz i kapur për bishti deri te përmasat e nje monstrumi antikobëtar e antishtetëror’,’- tha Quni.
Ai kujtoi se një numër i madh i qytetarëve ndikohen nga zyrtarët e lartë shtetëror, kur bëhen cilësime të tilla.
‘’Kur cilësime të tilla bëhen nga zyrtarët e lartë shtetëror, ato bëhen të besueshme për një numër të madh të qytetarëve’’- tha Quni.
Ai shton se e njeh personalisht Isufajn, që nga kohërat shumë të vështira. Thotë që është dëshmitar se si Isufaj në uniformën e UÇK-së i doli zot atdheut.
Quni e cilëson Isufajn si të ditur, trim e modest.
Ndër të tjera ai i bën thirrje qytetarëve të Kosovës që ta respektojnë Isufajn, pasi siç thotë ai, Kosova ka nevojë për njerëz të tillë.
"Përkundër asaj se nuk parapëlqehet dhe sulmohet nga autoritetet më të larta shtetërore, ju vazhdoni ta respektoni, për njerëz të tillë ka nevojë Kosova. Të pakompromis kundër të keqes dhe të paluhatshëm në të drejtën e tyre’’- shtoi Quni.