QUINT-i del me deklaratë: Na vjen keq që Lista Serbe s’do të marrë pjesë në zgjedhje, palët t’i shmangen dhunës
Ambasadat e vendeve të QUINT-it kanë dalë me një komunikatë për media për zgjedhjet e 23 prillit, ku Lista Serbe nuk pritet të marrë pjesë.
Shtetet e QUINT-it kanë thënë se “ju vjen keq që Lista Serbe nuk shfrytëzoi të drejtën për të marrë pjesë në zgjedhje”.
“Zgjedhjet janë themeli i demokracisë. Është thelbësore të sigurohet që ato të mbahen në mënyrë paqësore dhe të rregullt. Presim që autoritetet përkatëse të veprojnë me profesionalizëm. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin dhunën, e cila mund të prishë zgjedhjet.” – thuhet tutje në komunikatë.
Zgjedhjet e prillit
Më 22 mars ishte dita e fundit e afatit për të aplikuar për të kandiduar në këto zgjedhje, dhe partia e drejtuar nga Goran Rakiq nuk aplikoi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023,” – kishte thënë zëdhënsi i KQZ-së, Valmir Elezi për gazetën Nacionale.
Ai po ashtu kishte konfirmuar se gjatë kësaj periudhe nuk është pranuar asnjë aplikim i ri nga subjektet politike që dëshirojnë të marrin pjesë në këto zgjedhje.
“Gjatë periudhës 14 ditore të aplikimit (09 mars – 22 mars 2023), KQZ-ja nuk ka pranuar ndonjë aplikim nga ndonjë subjekt politik. Njoftim shtesë: Nga 9 deri më 13 mars 2023, subjektet politike dhe kandidatët e certifikuar në nëntor dhe dhjetor të vitit 2022, për pjesëmarrje në zgjedhjet e 18 dhe 25 dhjetorit, kanë konfirmuar certifikimin e mëhershëm dhe të njëjtit nuk kanë pasur nevojë të paraqesin aplikim nga fillimi, me përjashtim të udhëzimeve të dhëna nga Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike”, ka thënë Elezi.
Arsyetimi i Listës Serbe
Lista Serbe përmes një shkrimi në Facebook kishte “arsyetuar” këtë vendim të tyre, duke pretenduar se kjo erdhi si rezultat “i dhunës së vazhdueshme insititucionale të ushtruar ndaj serbëve nga regjimi i Albin Kurtit”.
“Vendimi i partisë sonë për mos pjesëmarrje në zgjedhje është pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar mbi popullin tonë nga regjimi i Albin Kurtit, duke i privuar serbët nga të gjitha të drejtat e njeriut në tokën e Evropës në vitin 21. shekullore, e mbi të gjitha mospërmbushja e kërkesave tona të qarta për të cilat lamë institucionet e Kosovës...” – thuhej në njoftim.
Këto zgjedhje parashihet të mbahen më 23 prill, ndërkohë që ishin shtyrë shkaku i tensioneve në veri në muajin dhjetor të vitit të kaluar.
Shtyrja e zgjedhjeve kishte irrituar shumë kritikë të Qeverisë, por madje edhe zyrtarin e VV-së në KQZ, z. Sami Kurteshi që kishte nënkuptuar se ministri i brendshëm Xhelal Sveçla duhej të shqyrtonte pozicionin e tij nëse zgjedhjet nuk mbaheshin. Zgjedhjet nuk ishin mbajtur, dhe tashmë mund të ketë rrezik që të shtyhen përsëri.
Katër kryetarët e mëhershëm që ishin pjesë e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje gjatë dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë në katër komunat me shumicë serbe. Sidoqoftë, kishte pasur shumë shpresë se pas marrëveshjes së Ohrit më 18 mars dhe asaj të Brukselit për Propozimin Evropian më 27 shkurt, kjo çështje do të zgjidhej.
