"Qeverisje tri vjeçare korruptive": Opozitarët i numërojnë zyrtarët e pushtetit që u arrestuan
Zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kanë reaguar pas arrestimit të Kryeshefit ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, Hasan Krasniqi. Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra dhe anëtari i LDK-së, Visar Azemi, kanë thënë se pushteti po hesht për arrestimin e tij, teksa kanë renditur edhe raste të tjera të arrestimit të zyrtarëve të tjerë.
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, në një konferencë për medie të mbajtur të dielën, ka thënë se Qeveria Kurti është karakterizuar me shumë skandale.
Ajo ka përmendur rastin e fundit të arrestimit të Kryeshefit të KRU Gjakova, Hasan Krasniqi, duke thënë se ai është njëri nga zyrtarët e partisë në pushtet i përfshirë në keqpërdorim të detyrës zyrtare.
“Fillimisht, zgjedhja e tij si Kryeshef ka qenë në kundërshtim me ligjin për Ndërmarrjet Publike, pasi që i njëjti parasheh që zyrtarët e lartë të ndërmarrjeve publike të jenë të pavarur, pra të mos kenë angazhime politike në 36 muajt e fundit. Ndërsa, tani, ai është edhe i dyshuar për vepra të tjera penale.” – ka thënë Deliu-Kodra.
Gjithashtu, ajo ka përmendur disa nga zyrtarët e Vetëvendosjes të cilët janë arrestuar për shkak të keqpërdorimeve.
“Besnik Mujeci: asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, i arrestuar në Shqipëri me 11 mijë e 300 tableta ekstazi, me vlerë tregu rreth 400 mijë euro. Nagip Krasniqi: Ish-drejtuesi i Komitetit për Energji në Lëvizjen Vetëvendosje, tani Kryeshef i Korporatës Energjetike të Kosovës, i arrestuar nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesi. Nënshkrim i kontratave të dyshimta në vlerë prej miliona eurove. Faruk Mujka: Ish-nënkryetar i Komunës së Mitrovicës gjatë mandatit të Lëvizjes Vetëvendosje, për të cilin, mediat kanë raportuar se si Komuna e Mitrovicës në kohën sa udhëhiqej nga Agim Bahtiri, vendosi që sallën e leximit të bibliotekës në Mitrovicë ta shndërrojë në kafiteri Ridvan Muharremi: Mik dhe bashkëpunëtor i Vetëvendosjes, i cili është i përfshirë në skandalin e keqpërdorimit të rezervave shtetërore. Mbi 600 mijë euro është dëmi që Prokuroria Speciale e Kosovës thotë se i është shkaktuar buxhetit të shtetit.” – ka thënë tutje ajo.
Nga ana tjetër edhe anëtari i LDK-së, Visar Azemi ka përmendur rastin e arrestimit të Kryeshefit të KRU Gjakova, Hasan Krasniqi, duke thënë se është një nga rastet më të rënda.
“Pushteti po heshtë edhe për arrestimin e Hasan Krasniqit, zyrtarit që VV e vendosi si kryeshef në KRU "Gjakova". Ai ra në pranga si i dyshuar për trafikim me njerëz. Hasani po akuzohet ndërkombëtarisht dhe ky rast shënon një prej skandaleve më të rënda dhe më të dëmshme për reputacionin e Kosovës viteve të fundit.” – ka shkruar ai.
Më tej, ai ka thënë se arrestimi i Krasniqit, nuk është rasti i parë që po ndodhë gjatë Qeverisë Kurti.
“Fatkeqësia është se ky rast s'është i vetmi. Për tre vite mandat, kjo qeveri prodhoi plot skandale korruptive. Edhe Nagip Krasniqin e vendosën në krye të KEK-ut, edhe ai u arrestua për dyshime për keqpërdorim e korrupsion. Martin Berishajn e emëruan ambasador, u bë skandal rajonal. Andej ua arrestojnë një zyrtar të partisë për drogë, e këndej iu shpërthen skandali me rezerva në ministri.” – ka shkruar ndër të tjera në Facebook.
Kujtojmë se Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) në Gjakovë, Hasan Krasniqi është arrestuar në Bullgari më 19 shkurt.