Qeverisë nuk i mjafton vetëm lirimi i tre policëve, kërkon "të dënohet agresioni serb"
Lirimi i tre policëve kufitarë është “lajm i mirë”, por nuk mjafton – Serbia “të mbahet përgjegjëse” dhe dënohet “në agresionin e saj” ndaj Republikës së Kosovës. Kështu, përmbledhtazi, u shprehën Kryeministri, Ministri i Brendshëm dhe Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, me të dalë njoftimi se tre policët kufitarë u liruan “për t’u mbrojtur në liri” pas vendimit të Gjykatës së Lartë të Kralevës mëngjesin e së hënës.
Kryeministri Albin Kurti tha se “ndonëse jemi të gëzuar” për lirimin e tre policëve të rrëmbyer “agresioni serb duhet të japë llogari” – këtu si kërkesë ndërkombëtarëve, të cilët ndonëse kanë kërkuar “lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte” të tre policëve, nuk kanë pasur vlerësim se kjo ka ndodhur brenda territorit të Kosovës dhe nuk e kanë emërtuar “agresion”.
“E konfirmojmë se tre policët e kidnapuar janë liruar. Ndonëse jemi të gëzuar që ata i kthehen familjeve të tyre, ky veprim rrëmbyes është shkelje serioze e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet. Agresionit serb duhet t’i kërkohet llogaridhënie”, ka shkruar Kurti në Twitter.
We confirm that the 3 kidnapped police officers have been released. Even though we are joyous that they get to return to their families, this abduction consists of a serious human rights violation & must be reprimanded. The Serbian aggression must be held accountable.
— Albin Kurti (@albinkurti) June 26, 2023
Ndërkaq, Sveçla tha se “përndjekja e tyre do të vazhdojë në liri” ndonëse tha se lirimi i tyre “është lajm i mirë”. Kjo duke iu referuar asaj se kjo Gjykatë e Serbisë “konfirmoi aktakuzën” ndaj tyre.
“Ndonëse lirimi i tyre sot është lajm i mirë, përndjekja e tyre nga Serbia do të vazhdojë në liri. Konfirmimi i aktakuzës dhe lirimi në procedurë të rregullt është vazhdim i orvatjeve të Serbisë për të mbuluar agresionin policoro-ushtarak brenda territorit të Republikës së Kosovës”, shkroi Xhelal Sveçla.
“Policët tanë kanë qenë në detyrë zyrtare, brenda territorit të Republikës dhe duke kryer detyrën e tyre në mbrojtje të integritetit, sovranitetit të vendit dhe luftim të kontrabandës. Ata duhet të lirohen pa kushte dhe Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për cënimin e integritetit territorial të Republikës së Kosovës”.
Edhe Ministrja Drejtësisë iu ra linjave të njëjta. “Kidnapimi i tre policëve nuk kishte të bënte me drejtësi por me agresionin e Serbisë në Kosovë”.
“Këtë fakt duhet ta njohin dhe pranojnë edhe miqtë tanë ndërkombëtarë të cilët duhet të kërkojnë përgjegjësi ndaj autoriteteve serbe për hyrjen e tyre të jashtëligjshme në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve kufitarë”, shkroi ajo.
Lirimi i tre policëve, sipas saj, “dëshmon edhe më tej vërtetësinë për skemat e krijuara nga Beogradi me qëllim destabilizimin në veri të vendit”.
Kryetema gati dy javore me rrëmbimin e tre policëve morri fund. Gjykata e Kralevës ua “konfirmoi aktakuzën” ndërsa morri vendim që t’ua heq ndalimin dhe “t’i lirojë të mbrohen në liri”. Kështu do të konfirmonte avokati i caktuar serb i tyre, Gradimir Naliq. “Është konfirmuar aktakuza, është hequr paraburgimi dhe do të mbrohen nga liria”, tha Naliq për RFE dhe shtoi se policët po kthehen në Kosovë. Shtoi se “është në interes të klientëve të mi” të mos thotë më shumë rreth rastit.
Gjykata e Lartë në Kralevë "ka konfirmuar aktakuzën" ndaj tyre por se ka lëshuar vendimin "që i jep fund mbajtjes së tyre në paraburgim", u njoftua në mëngjesin e sotëm në mediat serbe.
"Pas zhvillimit të procedurës paraprake dhe ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Lartë Publike në Kralevë kundër të dyshuarve BS, RZ dhe Sh.M. për nga një vepër penale, prodhimi, mbajtja, mbajtja dhe trafikimi i paligjshëm i armëve dhe lëndëve plasëse nga Art. Rr. 348. 4. në lidhje me para. 2 në lidhje me para. 1 të Kodit Penal (të Serbisë), trupi jogjykues i Gjykatës së Lartë në Kraljevë ka konfirmuar aktakuzën ndaj të pandehurve të lartpërmendur dhe ka nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurve u është ndërprerë paraburgimi", thanë Gjykata e Kralevës./Nacionale/
