Qeverinë nuk shqetëson fare kërkesa për shtrenjtim të energjisë, Kurti “harron” premtimet për lirim të rrymës dhe KEDS-in - NACIONALE

Qeverinë nuk shqetëson fare kërkesa për shtrenjtim të energjisë, Kurti “harron” premtimet për lirim të rrymës dhe KEDS-in

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Kërkesa e kompanisë KESCO për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike nuk i ka bërë fare përshtypje Qeverisë Kurti.

Ndonëse kanë kaluar dy ditë nga lajmi se kjo kompani i ka kërkuar ZRrE-së që rryma për këtë vit të shtrenjtohet për 21 për qind, askush prej Qeverisë nuk e ka thënë asnjë fjalë. Kryeministri në detyrë Albin Kurti, dje pas një vizite në QKUK ka folur për shumë çështje, por jo për temën e shtrenjtimit të rrymës.

Madje, Kurti, i cili sa ishte në opozitë thoshte se çmimin i rrymës është i lart, tani po i kritikon qytetarët se po i nxehin dhomat më shumë se që duhet.

Derisa Kurti po i qorton qytetarët për shpenzim të skajshëm të energjisë, zyrtarët e partive opozitare ia kanë rikujtuar atij deklaratat e mëhershme që e kritikonte çmimin e energjisë dhe kompaninë KESCO.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ia ka rikujtuar liderit të VV-së deklaratën e vitit 2019, ku zotohej se me ardhjen e tij në pushtet do të lirohej energjia elektrike.

Do ta lirojmë energjinë se është tepër e shtrenjtë kur rrimë mbi gjithë këtë energji”, thoshte Kurti aso kohe.

Kurse, aktivisti i PSD-së, Nol Nushi, ia ka rikthyer një deklaratën tjetër Kurtit.

Në profilin e tij në Facebook”, ai ka postuar një video ku Kurti i kritikonte ish-qeveritë për nënshtrim ndaj kompanisë KEDS.

Si i binden KEDS-it privat kaq shumë Qeveri e institucionet publike”, thoshte Kurti.

Pas ardhjen në pushtet, Kurti ka harrur kritikat e ashpra që kishte ndaj kompanive KEDS dhe KESCO.

Madje, në fillim të mandatit të tij të dytë ai kishte takuar pronarët e kompanive që e kanë privatizuar distribucionin e KEK-ut.

Qeveria kishte lëshuar edhe komunikatë për media për takimin e Kurtit me dy pronarët e firmës Limak Holding dhe Çalik Holding, të cilët janë pronarë të KEDS-it.

Në takim, përveç Kurti, pjesëmarrës ishte edhe Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë.

Diskutimet u përqëndruan rreth eksplorimit të mundësive për investime në fushën e energjisë dhe infrastrukturës brenda Kosovës. Kryeministri Kurti theksoi rëndësinë e investimeve të huaja në përmirësimin e këtyre sektorëve. Takimi, i cili u zhvillua në Zyrën e Kryeministrit, u karakterizua me frymë bashkëpunimi dhe përkushtim të përbashkët për nxitjen e rritjes dhe zhvillimit ekonomik në Kosovë.”, ishte thënë në komunikatën e Qeverisë Kurti.

Në ditën që u bë publik lajmi se KESCO ka kërkuar shtrenjtimin e energjisë, Kurti ka kritikuar qytetarët për shpenzim të panevojshëm të energjisë.

Duhe me menaxhu faktin se po ngrohemi me rrymë tepër shumë. Përveç asaj që ne ngrohemi me rrymë, ne ngrohemi shumë me rrymë. Temperaturat në dhoma i kemi dukshëm më të larta se ç’është normale. Kena qef nxehtë. Sa i përket konsumit neve na duhet me menaxhu ngrohjen”, ka thënë Kurti.

Lajme të ngjashme