Qeveria shkurton buxhetin për komunat, Ibrahimi: Komunat do të kenë më pak mjete financiare në vitin 2025
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka bërë me dije se komunat do të kenë më pak mjete financiare në vitin 2025 se në vitin 2024.
Ai ka treguar se në bazë të analizave që ka bërë asociacioni në vitin e ardhshëm komunat e Kosovës do të kenë 21.8 për qind mjete financiare nga buxheti i Kosovë.
Kurse, sipas tij, në këtë vit komunat kanë pasur 22.4 për qind të këtij buxheti.
“Në bazë ta analizave të Asociacionit të Komunave të Kosovës del që në vitin 2025 komunat e Republikës së Kosovës do kenë 21.8% mjete financiare nga buxheti total I Republikës së Kosovës. Këtë vit, pra në vitin 2024, komunat kanë pasur 22.4% mjete financiare nga buxheti total I Republikës së Kosovës. Shihet që ka më pak mjete financiare nëpër komuna në % në raport me nivelin qendror. Duke marrë parasysh se edhe Granti I IV për investime kapitale nuk është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe shto edhe marrjen e mjeteve nga buxhetet e Komunave e që vetëm këtë vit, deri më tani se kjo vazhdon edhe në ditët e sotme, ka shkuar mbi 60 milion EUR, parashihet që komunat do kenë shumë më pak mjete financiare se këtë vit”, ka thënë Ibrahimi për gazeten Nacionale.
Ibrahimi ka kërkuar nga institucionet qendrore që ti marrin parasysh kërkesat e komunave të Kosovës.
“Është e domosdoshme që Qeveria të ndajë mjete më shumë për komuna e jo që % e mjeteve ndaj tyre të zvogëlohet ashtu siç po zvogëlohet në vitin 2025. Edhe një herë I bëjmë thirrje Parlamentit të Republikës së Kosovës që t’I marë parasysh kërkesat e Komunave për rritje të buxheteve komunale sepse jeta zhvillohet nëpër komuna. Gjithashtu, kërkojmë që Parlamenti I Republikës së Kosovës të parasheh një vijë buxhetore për mbulimin e Kostos financiere për mbulimin e shpenzimeve nga kontrata kolektive”, ka thënë Ibrahimi.