Qeveria s’ninë për hetimin e tenderëve njëburimorë nga Prokuroria: Për 5 muaj nënshkruan 241 tenderë të tillë, në vlerë mbi 23 milionë euro
Qeveria Kurti nuk po e ndalë dorën për tenderët njëburimor. Edhe pasi Prokuroria Speciale ka filluar hetimin e këtyre kontratave, Qeveria Kurti ka vazhduar me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve, të cilat po kritikohen nga opozita dhe shoqëria civile.
Gazeta Nacionale ka mësuar se në periudhën prill - shtator Qeveria ka nënshkruar 241 kontrata njëburimore.
Burimet brenda zyrave të prokurimit të institucioneve i kanë thënë gazetës Nacionale se vlera e këtyre kontratave është mbi 23 milionë euro.
Këto burime kanë treguar se mbi 15 milionë euro është vlera e kontratave të rregullta që janë nënshkrua brenda këtyre pesë muajve nga ministritë dhe kompanitë publike.
Kurse, vlera e aneks kontratave të negociuara është 7 milionë e 680 mijë euro.
Në listën që e ka siguruar gazeta Nacionale, kontrata të llojit të tillë më se shumti ka nënshkruar Korporata Energjetike e Kosovës. Kjo kompani publike ka nënshkruar 15 kontrata një burimeve, vlerë e të cilave është 5 milionë euro.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është prej ministrive që ka nënshkruar më se shumit kontrata të tilla nga muaj prill deri në shtator.
Gjatë kësaj periudhe kohore, ministria që drejtohet nga Hajrullah Çeku ka nënshkruar 9 kontrata një burimore. Vlera e këtyre kontratave është afër 200 mijë euro.
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka nënshkruar 8 kontrata një burimore. Vlera e këtyre kontratave që janë nënshkruar nga ministria që drejtohet nga Liburn Aliu është mbi 3 milionë euro.
Kurse, Ministria e Drejtësisë është dikaster që i ka nënshkruar dy kontrata të tilla. Gazeta Nacionale ka mësuar se vlera e këtyre kontratave është mbi 1 milion e gjysmë euro.
Gazeta ka mësuat se edhe Policia e Kosovës ka nënshkruar 7 kontrata të tilla, të cilat kapin vlerën e mbi 135 mijë euro.
Kontrata tjera njëburimore me vlera të ndryshme monetare janë nënshkruar nga institucione tjera publike.
Tenderi për ushqimin e FSK-së
Kontrata e fundit e llojit të tillë është ajo e Ministrisë së Mbrojtjes për furnizimin me ushqim të ushtarëve të FSK-së.
Në fund të muajit të kaluar, gazeta Nacionale ka raportuar se Ministria e Mbrojtjes ka shpërblyer me tender 2 milionë 149 mijë euro grupin e operatorëve ekonomik “N.T.P HAJDINI COMERC & BYLMETI – KS” për ushqimin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK). Në tenderin me titull “Sherbimet me ushqim (përgatitje dhe servim) për nevojat e FSK-së” që ishte me procedurë të negociuar, çuditërisht nuk u ftua për ofertim kompania “Beni Dona PLast” SH.P.K që kishte furnizuar FSK-në me ushqim deri në fund të muajit të kaluar.
Kjo kontratë kishte shkaktuar një kaos në këtë ministrit, pasi për shkak të dyshime për korrupsion kontrata në fjalë nuk është nënshkruar nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Arsyet e këtij kaosi janë dallimet e përplasjet mes ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me vartësin e tij, zv/ministrin Shemsi Syla.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka treguar se pse nuk e ka nënshkruar këtë marrëveshje.
“Procesi i tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është një proces që nuk ka përfunduar, pra kontrata ende nuk është nënshkruar nga unë, është ende duke u zhvilluar vlerësim si në aspektin procedural dhe në apekte të tjera për këtë tender.”, ka thënë ai në RTK.
Ajo që e bënë këtë skandal edhe më të madh, është tendenca e zv/ministrit Shemsi Syla, që tinëzisht nga ministri Maqedonci, ta bëjë këtë kontratë si konfidenciale.
Gazetari Berat Buzhala nëpërmjet disa videove editoriale ka treguar se Syla e kishte nënshkruar këtë vendim përderisa Maqedonci ishte në pushime.
Me t’u kthyer, Maqedonci e anuloi vendimin.
Prokuroria ka nisur hetimet
Para katër muajve, gazeta Nacionale ka raportuar se Prokuroria Speciale është aktivizuar dhe ka nisur hetimet për numrin e madh të tenderëve njëburimorë që janë dhënë gjatë qeverisë Kurti II.
Gazeta Nacionale ka kuptuar nga burimet e veta brenda Prokurorisë se është duke u bërë analizimi i komplet dosjes së kontratave të negociuara që janë dhënë nga të gjitha institucionet.
Megjithatë, duket se do të ketë shumë punë, pasi rasti është voluminoz.
Prokuroria Speciale është në fazën e analizimit sepse rasti është voluminoz”, kishte thënë një burim i afërt me zhvillimet për gazetën Nacionale.
Sipas burimeve të Nacionales, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet ‘Ex Offixio’, apo sipas detyrës zyrtare.
Burimet e Nacionales kanë bërë të ditur se janë duke u analizuar e hetuar të gjithë tenderët që janë dhënë nga institucionet, qofshin ato qeveritare, komunale, apo ndërmarrje publike.
“Janë duke u trajtuar tenderët njëburimorë të të gjitha institucioneve”, tha ky burim për Nacionalen.
Nacionale ka mësuar edhe emrin e prokurorit që po e trajton këtë rast, por me qëllim që të mos ndikohen hetimet, nuk do ta publikojë.
Dhënia e tenderëve me kontratë të negociuar kishte shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, duke u thirrur edhe një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Nacionale kishte raportuar vazhdimisht për rritjen e numrit të tenderëve që ishin dhënë në formë të negociuar. Pra, pa shpallje publike.
Mbi 117 milionë euro kontratë njëburimore ishin dhënë vetëm në vitin 2023 nga të gjitha institucionet në Kosovë. Kjo kishte shtuar dyshimet për korrupsion, dhe tenderë të organizuar për kompani të caktuara.
Tenderët njëburimorë janë kontrata të cilat u jepen kompanive të caktuara pa shpallje publike. Kontratat e tilla sipas ligjit, duhet të jepen vetëm në raste emergjente. Kjo bëhet kur institucioni vlerëson se ka emergjencë, fton disa kompani të caktuara të dorëzojnë oferatat, mirëpo tenderi nuk është i hapur për të gjitha kompanitë.