Qeveria nuk pajtohet që Kurti i kalon 25 për qind të kohës në të pame: Kryeministri është i të gjithëve - NACIONALE

Qeveria nuk pajtohet që Kurti i kalon 25 për qind të kohës në të pame: Kryeministri është i të gjithëve

1 vit më parë

nga NACIONALE

Dje Agron Demi, anëtar i shoqërisë civile, publikoi një statistikë interesante në lidhje me punën e përditshme publike të kryeministrit Albin Kurti. Në shkrimin e tij të titulluar “Qysh e kalon kohën e tij Kryeministri”, Demi vlerësoi se 25 për qind të kohës, Kurti e kalon “nëpër të pame, homazhe e akademi përkujtimore”. Megjithatë, me këtë statistikë nuk është pajtuar pushteti.

Në vlugun e sulmeve të pushtetit ndaj Nacionales dhe Periskopit, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka zgjedhur të reagojë për krejt një temë tjetër. Kryeziu nuk ngurroi të hynte në profilin në Facebook të Demit…dhe për çfarë? Kryeziu zgjodhi të kundërshtonte statistikat e ofruara nga Demi, duke komentuar në postimin e analistit.

Në komentin e tij, Kryeziu u ankua fillimisht për titujt e mediumeve që “nuk përshkruajnë të vërtetën e plotë, rrjedhimisht keqinformuese”. Madje, Kryeziu hodhi dyshime edhe mbi statistikën e vetë Demit, pasi “natyra e punës dhe diskrecionit” të Kurtit “nëkupton që shumëçka nuk publikohet”.

“Analiza të tilla, edhe pse me një disclaimer (vërejtje) sikur në këtë rast, janë të prira të përdoren për tituj e raportime që nuk e përshkruajnë të vërtetën e plotë, rrjedhimisht keqinformuese (po e bashkëngjes nje shembull të shumë lajmeve që janë publikuar tashmë me të njëjtin titull). Kjo ndodh edhe sepse analiza të tilla si kjo, nuk të ofrojnë përgjigjen në pyetjen "Qysh e kalon kohën e tij Kryeministri?". Natyra e punës dhe diskrecioni që përban nënkupton që shumëçka nuk publikohet. Kjo e bënë analizën tuaj të pabazuar në informacion të plotë - rrjedhimisht rezultatet e analizës të pasakta” – ka shkruar Kryeziu.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës u mor specifikisht me çështjen e “të pames, homazheve dhe akademi përkujtimore”.

“Kryeministri është kryeministër i të gjithëve. Nga ai pritet që të takoj palë të ndryshme, vendore e ndërkombëtare, për të trajtuar çështje me interes, shqetësime e kërkesa. Merr pjesë në homazhe, sepse në Kosovë ka pasur shumë masakra. Nderimi, përkujtimi dhe vizitat janë më e pakta që mund të bëjë kreu i një institucioni që nuk do të bëhej pa sakrificën e të rënëve. Që po mos ta diskutojmë secilën kategori të analizës suaj...

Megjithatë ky postim mund të jetë deri diku i vlefshme për ekipin për komunikim me publikun, dhe ne do ta kemi parasysh. Faleminderit” – shkroi zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës.

Çka shkroi Demi?

Në postimin e tij, Demi analizoi aktivitetete publike të Kurtit gjatë periudhës kohore janar-korrik të vitit 2024. Sipas analizë së Demit, Kurti e kalon një të katërtën e kohës nëpër të pame, homazhe dhe akademi përkujtimore.

Po ashtu, Kurti kohë të konsiderueshme, gjithnjë sipas analizës së Demit, kalon edhe në takime me ambasadorët.

“Nëse bazohemi në njoftimet që gjenden në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, nga janari e deri më sot:

- ma shumë 1/4 e kohës së Kryeministrit ka shku nëpër të pame, homazhe e akademi përkujtimore;

- 23.7% të kohës e ka kalu duke pritë ambasadorët e akredituar në Kosovë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, apo liderë e delegacione nga shtetet tjera;

- 13.8% të kohës e ka kalu tu pritë në takime grupe të studentëve, pensionistë të huaj e vendorë, ish-diplomatë, delegacione nga mërgata, Lugina, Bosnja, Sanxhaku...” – ka shkruar Demi, ndër të tjera.

Lajme të ngjashme