Qeveria nuk “i frikësohet” hetimeve për tenderët sekretë, për katër ditë nënshkroi 4 sosh
Rreth dy muaj më parë, Nacionale raportoi se Prokuroria Speciale ishte aktivizuar për t’i hetuar kontratat njëburimore të cilat i ka dhënë Qeveria e Kosovës, që nga ardhja në pushtet.
Megjithatë, pavarësisht nisjes se hetimeve nga ana e Prokurorisë, kjo nuk ka ndikuar që Qeveria e Kosovës të mos nënshkruaj tenderë sekretë më që nga kjo periudhë. Vetëm gjatë kësaj jave, janë nënshkruar hiç më pak se 4 kontrata njëburimore.
Një është nënshkruar nga ministria e Drejtësisë në vlerë prej 1,200,000.00 euro për “Përfaqësimin e Kosovës në procedurat e Arbitrazhit dhe një tjetër nga Korporata Energjetike e Kosovës për “Furnizim me kimikale”, në vlerë prej 140,400.00 euro.


Si dhe dy të tjera nga Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Hidromorava” në vlerë prej 3000 euro.


Dhënia e tenderëve me kontratë të negociuar kishte shkaktuar reagime të shumta në Kosovë.
Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës kishin kërkuar komision hetimor lidhur me kontratat njëburimore. Por, një gjë e tillë ishte pamundësuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Nacionale kishte raportuar se Prokuroria Speciale ishte në fazën e analizës për shkak të kompleksitetit të rastit.
Burimet e Nacionales kishin bërë të ditur se Prokuroria Speciale po shqyrtonte me kujdes të gjithë tenderët që janë dhënë nga institucionet, qofshin ato qeveritare, komunale, apo ndërmarrje publike.
Tenderët njëburimorë janë kontrata të cilat u jepen kompanive të caktuara pa shpallje publike. Kontratat e tilla sipas ligjit, duhet të jepen vetëm në raste emergjente. Kjo bëhet kur institucioni vlerëson se ka emergjencë, fton disa kompani të caktuara të dorëzojnë ofertat, mirëpo tenderi nuk është i hapur për të gjitha kompanitë.
Telekomi i Kosovës në vitin 2023 dha tenderë njëburimorë në vlerë prej mbi 2 milionë e 700 mijë euro. Kurse, Ministria e Shëndetësisë dha tenderë të negociuar mbi 2 milionë e 300 mijë euro. Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës, Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit dhanë kontrata të tilla në vlerë mbi 5 milionë të gjitha bashkë.
Dhënia e kontratave të tilla në formë të dyshimtë po vazhdon edhe në vitin 2024.