EKSKLUZIVE: Prokuroria Speciale nis hetimet për tenderët sekretë të Qeverisë Kurti
Prokuroria Speciale është aktivizuar dhe ka nisur hetimet për numrin e madh të tenderëve njëburimorë që janë dhënë gjatë qeverisë Kurti II.
Gazeta Nacionale ka kuptuar nga burimet e veta brenda Prokurorisë se është duke u bërë analizimi i komplet dosjes së kontratave të negociuara që janë dhënë nga të gjitha institucionet.
Megjithatë, duket se do të ketë shumë punë, pasi rasti është voluminoz.
“Prokuroria Speciale është në fazën e analizimit sepse rasti është voluminoz”, ka thënë një burim i afërt me zhvillimet për gazetën Nacionale.
Sipas burimeve të Nacionales, Prokuroria Speciale i ka nisur hetimet ‘Ex Offixio’, apo sipas detyrës zyrtare.
Burimet e Nacionales kanë bërë të ditur se janë duke u analizuar e hetuar të gjithë tenderët që janë dhënë nga institucionet, qofshin ato qeveritare, komunale, apo ndërmarrje publike.
“Janë duke u trajtuar tenderët njëburimorë të të gjitha institucioneve”, tha ky burim për Nacionalen.
Nacionale ka mësuar edhe emrin e prokurorit që po e trajton këtë rast, por me qëllim që të mos ndikohen hetimet, nuk do ta publikojë.
Gazeta Nacionale për t’i konfirmuar këto informacione ka dërguar pyetje edhe në adresën e Prokurorisë Speciale, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.
Dhënia e tenderëve me kontratë të negociuar kishte shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, duke u thirrur edhe një seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.
Tenderët e dyshimtë
Nacionale kishte raportuar vazhdimisht për rritjen e numrit të tenderëve që ishin dhënë në formë të negociuar. Pra, pa shpallje publike.
Mbi 117 milionë euro kontratë njëburimore ishin dhënë vetëm në vitin 2023 nga të gjitha institucionet në Kosovë. Kjo kishte shtuar dyshimet për korrupsion, dhe tenderë të organizuar për kompani të caktuara.
Tenderët njëburimorë janë kontrata të cilat u jepen kompanive të caktuara pa shpallje publike. Kontratat e tilla sipas ligjit, duhet të jepen vetëm në raste emergjente. Kjob ëhet kur institucioni vlerëson se ka emergjencë, fton disa kompani të caktuara të dorëzojnë oferatat, mirëpo tenderi nuk është i hapur për të gjitha kompanitë.
“Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur gjatë vitit 2023 është 665,768,974.50€, derisa sipas procedurës së kufizuar gjatë vitit 2023 13,176,422.33€. Vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës konkurs projektimi, gjatë vitit 2022,është 3,037,845.48€, dhe sipas procedures konkurruse me negociata, gjatë vitit 2023 është 112,7540.74€, kurse sipas procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit të kontratës është 117,258,922.10€ dhe vlera e kontratave të nënshkruara sipas procedurës së hapur kuotim i çmimeve, gjatë vitit 2023 është 7,799,039.20€. Ndërkaq, sipas procedurës për vlerë minimale, vlera e kontratave të nënshkruara, gjatë vitit 2023,është 2,269,659.05€.” – thuhej në raportin e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik.
Institucionni kampion për dhënien e tenderëve të tillë të dyshimtë në vitin 2023, ishte Korporata Energjetike e Kosovës, në vlerë prej mbi 69 milionë eurove. 15 milionë euro kontrata të tilla të negociuara kishte dhënë Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Mbrojtjes ishte e treta me gati 4 milionë e 500 mijë euro tenderë njëburimorë. Komuna e Prishtinës ishte e katërta për kah dhënia e kontratave njëburimore me vlerë 4 milionë e 250 mijë euro.
Telekomi i Kosovës në vitin 2023 dha tenderë njëburimorë në vlerë prej mbi 2 milionë e 700 mijë euro. Kurse, Ministria e Shëndetësisë dha tenderë të negociuar mbi 2 milionë e 300 mijë euro. Ministria e Drejtësisë, Policia e Kosovës, Ministria e Financave dhe ajo e Mjedisit dhanë kontrata të tilla në vlerë mbi 5 milionë të gjitha bashkë.
Avazi i dhënies së kontratave të tilla në formë të dyshimtë vazhdoi edhe në vitin 2024. Në periudhën janar-mars kontratat e tilla kapin vlerën e mbi 30 milionë eurove.
Sipas deklaratave nga zyrtarët e LDK-së, që nga ardhja në pushtet e qeverisë Kurti II, janë nënshkruar mbi 1 mijë e 800 kontrata njëburimore, në vlerë mbi 240 milionë euro.