Njerëzit e VV-së, përveç dasmave, janë edhe për pozita të larta: Muzliukaj në IKAP, Hyseni në ATK
Vetëm brenda pak ditësh, dy eksponentë të Vetëvendosjes janë emëruar nëpër pozita të larta në institucione publike.
Fillimisht ish-këshilltari i Faton Pecit, Hysni Muzliukaj, militanti i zellshëm, u emërua drejtor në Institutin e Kosovës për Administratë Publike.
E sot, Ministria e Financave e emëroi ish-kandidatin për deputet të VV-së, Mentor Hysenin, si drejtor në Administratën Tatimore të Kosovës.
Hyseni në ATK, pa transparencë
Mentor Hyseni u emërua drejtor në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ministria e Financave bëri të ditur se procesi ka qenë transparent.
“Procesi është zhvilluar në mënyrë transparente dhe profesionale, duke u siguruar që kandidati i përzgjedhur të plotësojë të gjitha kushtet e nevojshme për këtë pozitë me rëndësi të lartë. MFPT ka besim të plotë që Z. Hyseni se do të vazhdojë dhe avancojë punën e mirë që është bërë deri më tani, në shërbim të një administrate moderne, transparente dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.
Por, reagimet e shoqërisë civile e qesin në rren Ministrinë e Hekuran Muratit. Para një viti, iniciativa ‘CorrWatch’ që monitoronte rekrutimet nëpër pozita të larta publike, kishte alarmuar se nuk po lejohen të marrin pjesë në këtë proces.
“Megjithatë, edhe përkundër konfirmimit nga MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për monitorimin e këtyre dy pozitave. Në rastin e ATK-së, CorrWatch, ka kërkuar që t’i mundësohet rishikimi i aplikacioneve të kandidatëve por ministria ka ofruar qasje vetëm në një raport bazik të tyre, dhe nuk ka lejuar qasjen në në dosjet e kandidatëve. Ndërsa sa i përket pozitës së Sekretarit të përgjithshëm në MFPT, CorrWatch nuk është ftuar për t’a monitoruar procesin.” – thuhet në reagimin e tyre.
Hyseni në vitin 2019 kishte aderuarur në Vetëvendosje, aderim për të cilin pati shkruar edhe vetë Albin Kurti.
“Ardhja e Mentorit në Lëvizje është vlerë e shtuar për të përmirësuar Politikat Publike, Ekonominë dhe Financat Pubiike në vendin tonë”, kishte shkruar Kurti.
Hyseni, në vitin 2021 ai ishte emëruar anëtar i bordit në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për t’u bërë dy vite më pas, kryesues i këtij bordi në këtë institucion.
Por, krahas kësaj pozite, Hyseni s’kishte mbetur pa gjë në Qeverinë Kurti 1, ku ishte emëruar anëtar i përkohshëm i bordit në “Ujësjellësi Prishtina”.
Hyseni ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet në zgjedhjet e vitit 2019, por nuk kishte marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet.
I arrestuari për korrupsion, drejtor në IKAP
Hysen Muzliukaj, ishkëshilltar i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci, është emëruar drejtor i Përgjithshëm i Institutit të Kosovës për Administratë Publike.
Emërimi i tij është bërë në mbledhjen e qeverisë në detyrë para disa ditësh.
Muzliukaj, i cili në shtator të vitit 2022 është emëruar këshilltar i Pecit, prej vitesh ka qenë aktivist i zellshëm i VV-së.
Si aktivist i partisë së Kurtit ai ishte zgjedhur edhe asamblist i VV-së në Mitrovicë. Në mandatin e dytë të Agim Bahtirit si kryetar i Mitrovicës, ai është ishte emëruar dhe si drejtor në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi.
Madje, për shkak të “bëmave” në këtë drejtori ai edhe ishte arrestuar si i dyshuar për korrupsion në vitin 2023.
Ai ishte arrestuar bashkë me Faruk Mujkën, drejtorin ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, i cili dyshohej për korrupsion derisa ishte nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.
Pas arrestimit, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e kishte shkarkuar Muzliukajn nga posti i këshilltarit.
Hysen Muzliukaj ka qenë mjaft aktiv edhe gjatë fushatës në zgjedhjet e fundit.
Në disa postime në profilin e tij në “Facebook” ai i është referuar kryetarit të VV-së, Albin Kurti, si “baba”.
“Babo faleminderit që ekziston! Po i prejna të dielen krejt deri në rrënjë! Naten e mirë e gjumin sheqer o 500 mijë zemrat e kuqe”, kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook”, një ditë para zgjedhjeve.
Ai kishte komentuar edhe fyerjet që Kurti ua kishte bërë opozitës në fjalimin e fitores.
“BABA ja u kallxon vendin përherë dhe përgjithmonë!”, kishte shkruar ai.