Qeveria merr meritat për liberalizim: Falë punës së Qeverisë u zhbllokua procesi
Qeveria e Kosova ka reaguar pas vendimit të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave.
Përmes një komunikate për medie, Qeveria Kurti ka marrë meritat për këtë proces.
Sipas njoftimit, procesi është zhbllokuar fal punës së qeverisë së re.
“Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit. Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, është thënë në njoftim.
Qeveria ka bërë me dije se në ceremoninë e nënshkrimit, e cila do të mbahet nesër në Strasbourg, do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.
Para Qeverisë, ka reaguar edhe VV-ja.
Edhe partia në pushtet meritat për viza ia ka dedikuar Qeverisë Kurti.
Sipas VV-së, Qeveria e re ishte ajo që e zhbllokoi këtë proces, siç thonë ata duke votuar ligjet për reformën në kuadër të integrimit evropian.
“Kalohet shkalla e fundit për liberalizimin e vizave për Kosovën. Sot Parlamenti Evropian votoi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Nesër nënshkruhet akti ligjor për liberalizimin e vizave dhe krejt çfarë mbetet është që vendimi të publikohet në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe të hyjë në fuqi. Është puna dhe angazhimi i qeverisjes së re në vend që ka zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave dhe ka bindur vendet anëtare të BE-së ta caktojnë datën 1 janar 2024, si datën e fundit prej të cilës qytetarët tanë do të lëvizin pa regjimin e vizave. Kosova në dy vitet e fundit përmes miratimit të mbi 100 ligjeve kreu reformën më të lartë ndonjëherë në kuadër të integrimit evropian.”, është thënë në komunikatën e VV-së.