“Qeveria i ka braktisur ëndrrat e tyre”, “Rrenca” – Reagime pas publikimit të numrit të popullsisë
Janë publikuar statistikat preliminare të regjistrimit të popullsisë që ishte mbajtur në maj të këtij viti nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. ASK përmes një konference për media ka vlerësuar si shumë të rëndësishme këtë regjistrim. Sipas statistikave preliminare të ASK-së, që i prezantoi ushtruesi i detyrës së drejtorit të ASK-së, Avni Kastrati, Kosova ka 1 milion e 586 mijë 659 banorë. Në bazë të regjistrimit të vitit 2011, Kosova kishte 1 milionë e 739 mijë banorë. Ku Kosova ka mbi 210 mijë më pakë banorë se sa në vitin 2011.
Rreth publikimit të numrit të banorëve pati edhe reagime në vend, ku kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se shifra e publikuar sot e konfirmon se qytetarët po e lënë Kosovën dhe se është pikëlluese që vetëm për katër vjet janë larguar më shumë se 210 mijë banorë.
“Pa u lëshuar këtu në saktësinë e shifrave të publikuara, është lajm i keq dhe shumë i dhembshëm që, duke u bazuar në publikimet zyrtare të ASK-së, po konfirmohet se vetëm në katër vitet e fundit, Kosova i ka humbur mbi 210 mijë banorë. Sipas ASK-së, në vitin 2020 Kosova kishte 1,798,186 banorë. Ndërsa, sot, kjo Agjenci publikoi shifrën pikëlluese prej vetëm 1,586,659 banorëve rezidentë.” - shkroi kryetari i PDK-së.
Ai kritikoi qeverinë se “i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre”, ku thotë se kjo shifër kërkon veprimet emergjente.
“Qytetarët, e veçmas rinia e Kosovës, po e braktistin vendin! Ose, thënë më mirë, Qeveria i ka braktisur ata dhe ëndrrat e tyre. Ky lajm i gëzon vetëm ata që nuk ia duan të mirën vendit tonë. Kjo shifër kërkon veprime politike emergjente. Qytetarët tanë meritojnë më shumë dhe më mirë - pranë familjeve të tyre dhe në vendin e vet.”, ka thënë ai.
Ish-kryediplomati Petrit Selimi ka reaguar pas publikimit të statistikave të ASK-së rreth numrit të banorëve në Kosovë.
Ai ka bërë një krahasim mes personave që janë larguar nga vendi prej vitit 2011 deri në 2019, dhe në katër vitet e fundit.
Në fund, ai ka pyetur se “kush ka qenë në pushtet këto katër vite”?
“Sipas statistikave zyrtare të ASK-së, Kosova ka humbur rreth 30 mijë banorë nga viti 2011 deri në 2019. Katër vitet e fundit, Kosova ka humbur edhe 200 mijë banorë. Hmm. Kush ka qenë në pushtet këto katër vitet e fundit?” – ka shkruar Selimi në “X”.
Edhe analisti dhe gazetari, Lirim Mehmetaj ka reaguar në lidhje me publikimin e rezultatit të popullsisë nga ASK-ja.
Mehmetaj ka reaguar ndaj Vetëvendosje, pasi ata shumë herë janë shprehur ‘se ka ikje të njerëzve nga Kosova më shumë në liri se okupim’.
Mehmetaj tha se nëse ky është një numër i saktë i banorëve rezident të Kosovës, atëherë LVV ka gënjyer tash e sa vjet, pasi të dhënat që ka mbledhur vet, dëshmojnë të kundërtën.
“Të dhënat qe i ka mbledhur vete deshmojne te kunderten..Deshmojne se nga Kosova kurre nuk ka pasur largim masiv…Rrenc. Rrenca.”, shkruan Mehmetaj.
Ndërsa, kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka ironizuar me zvogëlimin e popullsisë së Kosovës.
Ai ka bërë me dije se kjo e ka një të mirë, ku ka shkruar se me rënien e numrit të popullsisë do të rritet automatikisht GDP-ja për kokë banori.
“Rënia e numrit të popullsisë e ka një të mirë: na rritet automatikisht GDP-ja për kokë banori”, ka shkruar Murati.