Qeveria e shtyn vendimin për shpronësimin e tokave në Leposaviq dhe Zubin Potok
Qeveria e Kosovës e ka shtyrë për mbledhjen e radhës vendimin përfundimtar për shpronësim e disa tokave për interes publik në komunën e Leposaviqit dhe të Zubin Potokut.
Në mbledhjen e sotme, kryeministri Albin Kurti ka thënë se kjo pikë për arsyeje teknik shtyhet për mbledhjen e radhës.
“Pika në vijim për arsyeje teknike shtyhet për shqyrtim në mbledhjen e radhës. Kalojmë të pika gjashtë”, ka thënë Kurti.
Në piken e pestë të rendit të ditë ishte paraparë shqyrtimi i propozim-vendimit përfundimtar për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, në komunën e Leposaviqit dhe Komunën e Zubin Potokut.
Shpronësimin i këtyre pronave ishte kundërshtuar nga serbët lokalë.
Madje, edhe BE-ja i kishte kërkuar Qeverisë së Kosovës që të ketë kujdes më këtë çështje.
“Ndërtimi i katër bazave të Policisë së Kosovës në tokë private dhe shoqërore - në disa raste para fillimit të procedurave të shpronësimit - ngre shqetësime për të drejtat pronësore në veri të Kosovës dhe duhet të adresohet në mënyrë adekuate nga autoritetet. BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës që t'i përmbahen rreptësisht procedurave ligjore në shpronësimin e pronës së paluajtshme, të bëjnë të pamundurën për të siguruar që të ndiqet procesi i rregullt dhe se të drejtat pronësore të pronarëve dhe bartësve të interesit të prekur respektohen plotësisht”, ka thënë Bashkimi Evropian.
