Qeveria e Kosovës “në luftë” me institucionet e pavarura
Derisa në vitin e parë të mandatit Qeveria Kurti i ka shkarkuar bordet e vjetra dhe i ka emëruar të rejat në ndërmarrje publike, në vitin e dytë ajo ua ka mësyrë institucioneve të pavarur. Këshilli Gjyqësor, Këshilli Prokurorial, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil dhe komunat janë institucionet të cilave qeveria “u ka shpallur luftë”.
Në vitin e dytë të mandatit, Qeveria e Kosovës ka vendosur t`i qërojë hesapet me disa institucione të cilat Kushtetuta e Kosovës i përcakton si të pavarura.
Në pamundësi për të ndërhyrë drejtpërdrejt në punën e tyre, ekzekutivi ka zgjedhur mënyra të ndryshme për ta shtuar presionin ndaj tyre. Disa prej këtyre institucioneve qeveria ka vendosur t`i prekë në aspektin financiar, duke ua ulur pagat punonjësve të tyre, ndërsa për të tjerat, ka miratuar projektligje për t’ua zvogëluar kompetencat.
Veprimet e tilla të qeverisë po vlerësohen si shqetësuese nga ekspertët dhe shoqëria civile.
Përpjekja për të ndërhyrë në punën e institucioneve të pavarura po shihet edhe si anti-ligjore.
Për këtë arsye, veprimet e qeverisë janë dërguar në gjykata të rëndomta dhe është paralajmëruar se do të mund të dërgohen edhe në Gjykatën Kushtetuese.
Sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë
Me ardhjen e tij në pushtet, kryeministrit Albin Kurti nuk është ndalur së kritikuari sistemin e drejtësisë. Ai vazhdimisht i ka akuzuar prokurorët dhe gjyqtarët, duke i cilësuar si të kapur nga qeveritë e kaluara.
Përplasja e parë mes këtyre dy pushteteve ka ndodhur rreth vetingut. Këshilli Gjyqësor i Kosovës e ai Prokurorial e kanë refuzuar kategorikisht iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë që vetingu të bëhet me ndryshime kushtetuese. Si rezultat, KGjK-ja dhe KPK-ja kanë bërë të ditur se nuk do të marrin pjesë në asnjë grup punues për këtë qëllim.
Raportet e këtyre dy pushteteve janë ashpërsuar edhe më shumë, kur muajin e kaluar qeveria mori vendim për ulje të pagave të gjykatësve dhe të prokurorëve.
Vendimi i ekzekutivit për ulje e pagave të prokurorëve dhe gjyqtarëve është pezulluar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Kurti nuk i ka kursyer kritikat për sistemin e drejtësisë as për rastin e vrasjes së Hamide Magashit në oborrin e QKUK-së. Njëjtë ka vepruar edhe ministrja e Dritësisë, Albulena Haxhiu.
Së fundi, i pari i qeverisë ka thënë se prokurorët dhe gjyqtarët po e pengojnë punën e qeverisë.
Gjatë prezantimit në Pejë të Projektbuxhetit për vitin 2023, Kurti ka thënë se më e rëndësishme për të do të ishte që ai të bëhej prokuror.
“Secilën ditë që po vazhdoj si kryeministër, shpeshherë edhe duke e dëgjuar ministrin Hekuran Murati, po më duket që hala më e rëndësishme kish me qenë me u pasë bërë kryeprokuror. Po unë kryeprokuror s’mundem me u bë, a kryeministër më keni bërë ju, a kryeprokuror s’mundem me u bo”- ka thënë ai, duke shtuar se, për të ecur punët e qeverisë mirë, sistemi i drejtësisë duhet të funksionojë si duhet.
“Se për të ecë mbarë, po nuk funksionuan edhe prokuroria, edhe gjyqësia qysh duhet, do të vonohemi shumë. Se këta me na ndalë s’munden. Po me na vonu, po, ama gjithnjë e më pak, e unë jam optimist që edhe në këtë pengesë ia dalim bashkë sikurse në të tjerat”- ka thënë Kurti.
Drejtori i Institutit për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se gjyqësori duhet ta mbrojë veten.
“Kur cenohet pavarësia e gjyqësorit nga vendimet e kundërligjshme të politikës, gjyqësori nuk duhet të presë as pesë minuta që ta mbrojë pavarësinë e tij. Secili duhet të kuptojë se deri ku janë kompetencat dhe autorizimet që ia ofrojnë Kushtetuta dhe ligji. Kur këtë nuk e din, e mëson, nëse don!”- ka shkruar Miftaraj në profilin e tij në “Facebook”.
Përplasja me Këshillin
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës është ndër institucionet e para që ka rrezuar një varg vendimesh të qeverisë, të cilat kanë pasur të bëjnë me emërime të pozitave të larta në administratën publike.
Fillimit, qeveria i kishte shkarkuar në kuvend anëtarët e këtij këshilli, por Gjykata Kushtetuese e kishte anuluar vendimin e kuvendit, duke thënë se shkarkimi i tyre ishte antikushtetues.
Prej vendimeve më të rëndësishme që i ka marrë ky këshill, është rekomandimi se qeveria në mënyrë të kundërligjshme e ka emëruar kryeinspektorin e punës.
Madje, këtë rekomandim ka refuzuar ta zbatojë Ministria e Financave. Për këtë arsye, ministri Hekuran Murati është dënuar me ndalje të 50 për qind të pagës.
Gjithashtu, këshilli e ka anuluar edhe konkursin për zgjedhjen e drejtorit të përgjithshëm të ATK-së. Ky institucion njësoj ka vepruar edhe me disa konkurse të MPJD-së, dike i anuluar ato.
Këto veprime nuk i kanë pëlqyer qeverisë dhe, në këtë mënyrë, ekzekutivi e ka nisur hakmarrjen ndaj këtij institucioni të pavarur kushtetues.
Si kundërpërgjigje, qeveria e ka dërguar në kuvend për miratim Projektligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L -048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Ndryshimi i ligjit për këtë institucion të pavarur kushtetues po konsiderohet si hakmarrje politike e qeverisë ndaj këtij këshilli.
Një vlerësim i tillë po bëhet, pasi ky këshill deri më tani i ka rrëzuar qeverisë dhjetëra vendime e konkurse, të cilat kanë të bëjnë më shërbyes civilë.
Përmes këtij ligji, ekzekutivi po synon që të ia heqë disa kompetenca këtij këshilli.
Gjithashtu, përmes këtij projektligji synohet heqja e imunitetit funksional për anëtarët e KPShCK-së. Një veprim i tillë po konsiderohet si cenim i pavarësisë dhe tentim për frikësim të këtyre anëtarëve.
Projektligji në lexim të parë është shqyrtuar më 10 nëntor në Kuvendin e Kosovës, por, shkaku i mungesës së kuorumit, nuk është hedhur në votim.
Grabitja e të hyrave vetjake të komunave
Qeveria dhe kryeministri Kurti nuk kanë pasur komunikim të mirë as me komunat e Kosovës. Gjatë tërë mandatit të tij, ai vazhdimisht i ka refuzuar kërkesat e kryetarëve të komunave dhe të Asociacionit të Komunave të Kosovës.
Ankesat e komunave kanë pasur të bëjnë me mungesën e investimeve kapitale.
Këto ankesa janë shtuar me prezantimin nga Qeveria të projektbuxhetit për vitin 2023.
Shumica e kryetarëve të komunave, që nuk vijnë nga partia e kryeministrit Albin Kurti, janë ankuar se ky projektbuxhet parasheh pak buxhet për ta.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe instituti GAP në një analizë për ndarjet buxhetore për vitin 2023.
Sipas këtij instituti, investimet e reja kapitale që janë ndarë për nivelin lokal favorizojnë komuna të cilat qeverisen nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Nga 51.2 milionë euro investime kapitale të reja të nivelit qendror këtë vit, janë rreth 22 milionë euro të cilat janë destinuar për projekte specifike në 20 komuna. Mbi gjysma e kësaj shume (52% apo 12 milionë euro) do të orientohet tek tri komunat e udhëhequra nga VV, komuna që mbulojnë 9% të territorit të Kosovës dhe 8% të popullsisë.”, thuhet në analizën e instituti GAP.
Edhe më problematik në Projektligjin për buxhetin po shihet neni 9, paragrafi 6, i cili thotë: "Të gjitha të hyrat vetanake, të mbledhura para vitit fiskal 2022 dhe të pashpenzuara, bëhen pjesë e Fondit të Kosovës në bilancin bankar".
Kjo ka nxitur reagime të shumta nga komunat, asociacioni dhe opozita.
Sipas tyre, prekja e të hyrave vetjake e cenon autonominë e pushtetit lokal.
Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që të hiqet ky nen, duke shtuar se ai është në kundërshtim edhe me Ligjin e Financave të Pushtetit Lokal dhe Ligjin e Financave Publike.
Kurse partitë opozitare kanë bërë me dije se, nëse nuk hiqet ky nen, ky projektligj do të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese për shqyrtim.
Kuvendi i Kosovës, në lexim të parë, e ka miratuar Projektbuxhetin për vitin 2023 në muajin tetor. Së shpejti pritet që ky projektligj të miratohet edhe në lexim të dytë.

