Qeveria e Kosovës merr vendim për ndalimin e hyrjes së veturave me targa serbe (E përditësuar)
Shënim: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të enjten ka demantuar këto raportime, duke thënë se nuk janë masa ekonomike tregtare, por vetëm të sigurisë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të ndalojë hyrjen e veturave me targa të Serbisë në territorin e shtetit.
Ky vendim i qeverisë ka ardhur pas kidnapimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se institucionet e Kosovës kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare.
“Për arsye të sigurisë, institucionet kanë vendosur që të rrisin nivelin e kontrolleve kufitare. Andaj, si hap i menjëhershëm është vendosur që të ndalohet hyrja e automjeteve me targa të Serbisë në Republikën e Kosovës, teksa vazhdon analizimi i situatës nga institucionet e sigurisë. Veprimet e radhës do të merren bazë të rekomandimeve të institucioneve të rendit.” – ka thënë Kryeziu për Radio Evropën e Lirë.
Policia e Kosovës ka mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media, pas kidnapimit të tre zyrtarëve policorë nga Policia e Serbisë, ku zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, e ka quajtur këtë një “kidnapim klasik”.
“Siç e kemi bërë të ditur edhe përmes njoftimit, sot në mesditë në thellësi të territorit të Kosovës, në zonën kufitare në veri, dyshohet se njësitet special të Serbisë, në formë të oeganizuar, kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitarë patrullues. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe.” – tha ai.
Tutje, Kelani ka shtuar se policët po kryenin detyrat e tyre zyrtare, duke parandaluar kalimet ilegale, si dhe kontrabandën në atë pjesë.
“Policia e Kosovës dëshiron të theksojë se njësia policore patrulluese, ka qenë me detyrë zyrtare me pike statike në vendin e quajtur tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Kosovës. Kanë qenë duke kryer detyrat e tyre zyrtare, që të paranadalojnë kalimet ilegale, që të parandalojnë grupet kiriminale të shfrytëzojnë rrugët në atë pjesë, të parandalojnë kontrabandën në atë pjesë, duke përfshirë edhe me armë.” – u shpreh ai.
Rreth kësaj ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke i kërkuar faktorit ndërkombëtar që ta dënojë këtë akt.
Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se policët “u rrëmbyen” në vendin ku kishte një rrugë ilegale, që ndodhet 300 metra brenda territorit të Kosovës.
Kurti, e ka lidhur këtë zhvillim me arrestimin e djeshëm të Millun Millenkoviq, i dyshuar për sulmet gjatë javëve të fundit në veri, duke e konsideruar këtë si hakmarrje.
“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq - Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës.” – tha ai.
Nga ana tjetër presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se kidnapimi i tre policëve brenda Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.
Omsnai ka thënë se ky akt dëshmon se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon.
“Kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Republikës së Kosovës është agresion nga ana e Serbisë. Ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.” – ka thënë ajo.
Osmani tutje ka deklaruar se ky akt i sotëm dëshmon se Serbia vazhdon të veprojë me logjikën e së kaluarës.
Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka reaguar pas kidnapimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga Serbia.
Konjufca përmes një postimi në Facebook ka thënë se e dënon aktin e rëndë të rrëmbimit të policëve.
“E dënoj aktin e rëndë të rrëmbit të tre policëve kufitarë të Republikës së Kosovës nga xhandarmëria serbe. Ky akt i cënimit të sovranitetit dhe sigurisë së Kosovës nga Serbia është tregues i qartë se kush dëshiron të nxisë tensione në mes dy vendeve. Në kohën kur Serbia do duhej të urdhëronte bandat kriminale në veri të Kosovës që të tërhiqeshin nga përpjekja për destabilizim të rendit në katër komunat veriore të Kosovës, ajo vazhdon më tutje duke i përfshirë formacionet zyrtare policore në cënimin e integritetit territorial të Kosovës.” – ka shkruar Konjufca.


