“Qeveria e Kosovës ka vizion për Asociacionin”: Qysh u mirëpriten diskutimet e djeshme nga ShBA e BE
Në bisedimet e takimit të djeshëm, për herë të parë, ndërmjetësuesit patën rastin që të dëgjojnë një pikëpamje të Qeverisë së Kosovës për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe kjo, u cilësua si pozitive si nga Bashkimi Evropian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Çka u tha pas takimit?
Qeveria e Kosovës e ka refuzuar draft statutin e prezantuar nga Ekipi Menaxhues në lidhje me formimin e Asociacionit, derisa ka propozuar një draft vizion.
Në orët e vona të mbrëmjes, pas përfundimit të takimit, kryeministri Albin Kurti ndau me publikun pikëpamjen e Qeverisë së tij për formimin e Asociacionit.
Qysh u prit nga Borell?
Vizionin e tij për Asociacionin, Kurti e prezantoi edhe në takimin e tij me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak dhe kryediplomatin evropian, Josep Borell.
Ky i fundit, pas përfundimit të takimit, e bëri të qartë se nuk priste ndonjë pajtim në lidhje me Asociacionin, megjithëse, konsideroi se është hap pozitiv vetë fillimi i diskutimeve në lidhje me këtë pikë.
“Ekipi menaxhues prezantoi draftin e parë para palëve. S’është drafti final. Është një pikë fillimi. Këtu është. Ky draft për Asociacionin përbën një pjesë të rëndësishme të marrëveshjes. Ky draft tashmë është vënë në tryezë. Kryeministri Kurti ndau me ne këndvështrimet e tij për mborjtjen e të drejtave të komunitetit serb në Kosovë, dhe siç pritet, këndvështrimet e palëve janë shumë të largëta mes vete sa i përket këtij Asociacioni. S’kam pritur ndonjë gjë tjetër. Isha i bindur se palet do të kenë vështrime të ndryshme për natyrën e Asociacionit të komunave.” – tha ai pas përfundimit të takimit.
Tutje, në lidhje me këtë çështje, ai deklaroi si vijon: “Edhe nëse s’pajtohen, janë pajtuar për të filluar negocimin sa i përket të ardhmes të Asociacionit në të ardhmen e afërt, duke pasur këtë draft të parë si pikë fillestare për diskutim”.
Çka deklaroi Escobar?
Mbrëmë u shënua një progres i vogel, sipas emisarit Escobar. Madje, kryeministri Kurti “për herë të parë” tregoi vizionin për Asociacionin, marrëveshje që kishte thënë se nuk do ta respektonte.
“Ka kaluar vetëm një muaj, tash po e diskutojmë implementimin. Kemi një progres të vogël në propozimet e shkruara nga të dyja palët për Asociacionin. Mendoj që kjo është ndër herët e para, që kemi dëgjuar nga Kosova për vizionin e tyre për Asociacionin, ata e kanë një.” – ka thënë ai në një konferencë të mbajtur online.
Një prej pyetjeve që iu shtrua nga gazetarët në këtë diskutim, ishte edhe nëse z.Escobar vlerëson që “draft-vizioni” i prezantuar nga pala kosovare, ishte serioz.
Escobar u përgjigj qartë duke thënë se “mendon që është serioz, por edhe ai i Ekipit Menaxhues ishte serioz”.
“Mendoj se është serioz, por gjithashtu mendoj se ai i paraqitur nga ekipi menaxhues është serioz. Tani, nuk më takon mua të vendos se çfarë është serioze. Nuk është një proces i lehtësuar nga Amerika; është një proces i lehtësuar nga evropianët. Dhe ajo që është e rëndësishme këtu është që të dyja palët normalizojnë marrëdhëniet e tyre, të harmonizojnë gjithashtu strukturat e tyre me Bashkimin Evropian në përgatitje për anëtarësimin eventual në Bashkimin Evropian." - u shpreh ai.
Vlen të theksohet, se diskutimet për Asociacionin pritet që të vazhdojnë, madje shumë shpejt.
Madje siç u shpreh të mërkurën emisari Escobar, kryenegociatorët Besnik Bislimi e Petar Petkoviq pritet që të takohen pas dy javëve në lidhje me këtë çështje.

