Qeveria deklarohet për kërcënimin: Nervoza në Beograd pas mbledhjes në ShBA shtoi agresivitetin ndaj Kurtit
Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ka shumë kërcënime nga individë e struktura të lidhura me Beogradin zyrtar, pas raportimeve mbi planifikimin e një atentati të mundshëm ndaj kryeministrit Albin Kurti, pas kthimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i ka thënë Nacionales se “nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, i ka shtuar kërcënimet ndaj kryeministrit të Kosovës.
Sipas tij, në Shkup ka pasur forca të shumta të rendit, por “kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar”.
“Jemi të informuar se ka shumë kërcënime nga individë dhe struktura që kanë lidhje me Beogradin zyrtar. Nervoza në Beograd pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së i ka shtuar kërcënimet dhe agresivitetin ndaj Kryeministrit. Në Shkup janë parë forca të shumta të rendit. Kryeministri nuk është ndjerë i kërcënuar. Gjithçka ka shkuar mirë gjatë qëndrimit të tij në Maqedoni të Veriut. Ai tashmë është në Kosovë dhe po vazhdon agjendën e tij.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, një deklaratë të ngjajshme e dha edhe vetë Kurti pas kthimit të tij nga Shkupi në Prishtinë, e ku pyet mbi këto raportime.
“Unë kam mësuar që ka shumë kërcënime nga individë e struktura të cilët i kanë rrënjët në Beogradin zyrtar. Por unë sa erdha nga Shkupi, nuk jam ndjerë i rrezikuar, veç se kam parë që kishte shumë forca policore që u kujdesen për këtë mbledhjen që e mbajtëm në Shkup me Partitë Socialdemokrate.” – ka thënë ai para gazetarëve.
Rreth krejt kësaj situate të krijuar, tashmë janë deklaruar edhe autoritetet e Maqedonisë së Veriut. Ministria e Punëve të Brendshme atje, ka qartësuar se nuk ka pasur tentim për vrasjen e Kurtit, dhe se ka pasur masa të sigurisë sipas rregullave të paracaktuar.
Çka raportoi RTK-ja?
Radiotelevizion i Kosovës pasditen e së shtunës publikoi një raportim ku thuhej që institucionet e sigurisë kanë siguruar të dhëna se nga Serbia, ka përpjekje për vrasjen e Kurtit, derisa ky po qëndron në Shkup.
Një gjë e tillë, raportohej të ketë ardhur pas mbedhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Tutje thuhet që janë marrë të gjitha masat e nevojshme në bashkëpunim me Maqedoninë e Veriut, me të arritur Kurti mbrëmë në Shkup.
Televizioni publik raporton se i është thënë që kërcënimi për jetën e Kurtit ka qenë serioz, “sidomos duke marrë parasysh se kanë ardhur nga disa burime të informacionit”.
“Ka qenë një kombinacion operativ serb, ku janë gërshetuar mashtrimet mediale me veprimet në terren nga atentatorë të mundshëm të ekstremit serbo-maqedonas, të afërt me Federatën Ruse, por nën kontrollin e institucioneve serbe.” – citohet të ketë thënë ky burim.
RTK po ashtu se “do të provojnë ta publikojnë versionin e plotë të kësaj ngjarje”.