Qetësohen 'pak' ujërat për dinarin pas presionit perëndimor, qeveria flet për “periudhë tranzitore" dhe "edukimi të bizneseve” - NACIONALE

Qetësohen 'pak' ujërat për dinarin pas presionit perëndimor, qeveria flet për “periudhë tranzitore" dhe "edukimi të bizneseve”

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Dinari serb – me ç’u dëgjua sot – s’do të gjejë fundin e saj bash nesër.

Çka pritej që do të ishte një ‘fërkim’ i ri në veri pas futjes në fuqi të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, që do të ndalonte pagesat/transaksionet në dinar qysh nga 1 shkurti, sot u pa që megjithatë do të ketë një fazë tranzitore.

Se ky vendim i BQK-së s’përbën gjë të re është e mbarëditur – kur Kosova, legalisht, prej Planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës – e ka të ingranuar vetëm një valutë të vetme: euron.

Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministri i Kosovës – mjegullues sa s’bëhet – tha se do të synohet “edukimi dhe informimi” i bizneseve dhe qytetarëve për një periudhë tranzitore.

Saktësisht një periudhë optimale në këtë kapërcim monetar – ose, sovranitet monetar – kanë kërkuar edhe shtetet e QUINT-it, të cilët vendimin në vetvete s’e kontestuan, por zbatimin e menjëhershëm e të ashtupërashtushëm.

Ndonëse njoftuan se dështuan të bindnin qeverinë kosovare për këtë, s’u dorëzuan në kërkesën që “të pezullohet zbatimi i rregullores për të lejuar një periudhë mjaftueshëm të gjatë tranzicioni dhe për komunikim të qartë dhe efektiv publik”.

Kësaj linje edhe/edhe – siç bën rëndom – i qëndroi Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një ditë para hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për çka tha se duhet “zgjidhje praktike” që edhe i qëndron konform Nenit 11 të Kushtetutës, por “duke ruajtur edhe aleatët”.

(...)në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahjen e plotë të shteteve aleate, sepse siç e dini për secilën çështje që ka të bëjë me veriun e Kosovës, me shtrirjen e sovranitetit dhe me sigurinë e shtetit tonë, ne sa herë i kemi aleatët tanë në krah, atëherë tejkalohen këto sfida dhe realizohet mbrojtja e Kushtetutës sonë në tërësi”, tha Osmani sot.

Bislimi, i cili deri më sot mirëmbante një qëndrim ambivalent – duke mos pohuar se po ndalohen pagesat/transaksionet e Serbisë, por as duke mohuar se po synohet shtrirja e plotë e sovranitetit monetar në veri dhe jo vetëm – tha se njëjtë si BE që është e interesuar “që ky tranzicion të jetë i lehtë” ashtu edhe pala kosovare.

Kësisoji, duke e dhënë për fakt të kryer se do të ketë tranzicion, e jo vetëm zbatim të menjëhershëm. “S’jemi të interesuar që me asnjë qytetar të hasim në vështirësi të panevojshme gjatë kësaj faze”, tha ai.

Nuk kemi nevojë për periudhë të gjatë tranzitore. Nuk mund të them se do të duhen dy javë, apo katër javë, këtë do ta dinë institucionet zbatuese kur të fillojnë informimin, edukimin dhe fiskalizimin e bizneseve në veri”, ka thënë Bislimi.

E ky “edukim”, tha Bislimi, do të fuksohet te bizneset.

Megjithatë, një debat e “tradhtoi” pak Bislimit.

Atë që Hyrja në fuqi që nga nesër e Rregulles së re të BQK-së, del që s’e ka qëllim të vetëm “sovranitetin monetar” por edhe “vendos(jen) në siklet” të Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu të paktën ka shtjelluar Bislimi në një konferencë për shtyp, kur tha se një gjë e tillë do të shpërfaqë “këqpërdorimet” që Serbia, sipas tij, bën në financimin dhe pagesat te komuniteti serb në Kosovë.

Vendosja e transparencës do të vendos në siklet Vucicin të deklaroj se ku shkojnë 600 milionë tjera dhe çka ndodh me ato 200 milionë që hyjnë në Kosovë, sa prej tyre kthehen në Serbi. Sipas informatave të Serbisë, ata shpërndajnë ndihmë financiare tek 90 mijë individë serbë, ndërkohë që asnjë statistikë nuk i nxjerr 90 mijë qytetarë serbë”.

Ka keqpërdorime të mëdha që bëhen në emër të mbështetjes për serbët. Këtu është halli, që vendosja e transparencës do t’i nxjerr në pah keqpërdorimet”, ka thënë Bislimi.

Lajme të ngjashme