"Qeshi si na pa", rrëfimi emocional i ushtarit të FSK-së që shpëtoi 2-vjeçaren në Turqi
Dy ditë me parë, Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë arritur të shpetojnë një vajzë 2-vjeçare dhe nënën e saj nga rrënojat e tërmetit në Turqi.
Egzon Syla, komandant i kontingjentit të FSK-së për kërkim-shpëtim, ka treguar në detaje se si e kanë arritur t’i gjejnë të mbijeutarat e tërmetit.
“Kemi arritur të identifikojmë zëra, të cilët kanë ardhur nga thellësia, brenda. Në fillim, nuk ka qenë e qartë se nga po vijnë. Me mjetet tona që i kemi, ne kemi arritur saktë ta identifikojmë vendndodhjen”, tha ai.
Me tutje, Syla thotë së nëna e 2- vjeçares ka kërkuar ta shpëtojnë fëmijën.
“Kur janë afruar [ekipet], fillimisht kanë arritur ta prekin nënën e fëmijës, e ka pasur fëmijën në dorë ashtu siç e kanë zënë gërmadhat. Kemi marrë kërkesë nga nëna që ta shpëtojmë fëmijën. Na tha: ‘Ju lutem, nxirreni vetëm fëmijën, vetëm fëmijën nxirreni', tha ai”.
Ai për Radio Evropën e Lirë ka treguar edhe momentet më të vështira gjatë kërkim-shpëtimit.
“E di se dikush po pret ndihmën tënde dhe ti nuk mund të shkosh për ta tërhequr dhe nuk mund të shkosh menjëherë. Sigurisht, momenti më i lumtur për të gjithë pjesëtarët [e shpëtimit] këtu ka qenë kur ka dalë fëmija i gjallë, kur, nëse nuk gaboj, ndoshta kemi bërë deri në 10 orë kërkim. Siç e keni parë, [fëmija ka qenë] i mbështjellë me uniformë të FSK-së, i ka shikuar pjesëtarët tanë në fytyrë dhe ka filluar të qeshë. Kjo ka qenë diçka e papërshkrueshme”, thotë Syla.
Pas vajzës, ekipi i FSK-së e ka shpëtuar edhe nënën e saj, ndërsa babai dhe vëllai nuk i kanë mbijetuar tërmetit. Kontingjenti i FSK-së, është i stacionuar në Hataj, në njërin nga rajonet më të prekura nga tërmeti.
Komandant Syla tregoi edhe për gjendjen e këtij qyteti pas tërmetit të 6 shkurtit.
“Qyteti është i shkatërruar plotësisht, është një katastrofë. Ne e kemi shumë të vështirë edhe komunikimin me udhëheqësit tanë në Kosovë, sepse nuk ka as internet e as valë telefoni. Është shkatërruar gjithçka. Nuk ka asnjë ndërtesë të banueshme, ose janë rrëzuar komplet, ose dëmtuar shumë”, shtoi ai.
Ai ka shpjeguar situatën e qytetarëve në Hataj pasi është rrënuar gjithçka.
“Rrugët janë të bllokuara nga rrëzimi i banesave, njerëzit janë duke fjetur në rrugë, janë duke ndezur zjarr dhe duke qëndruar aty. Në trotuare ka shtretër që kanë arritur t’i nxjerrin nga banesat që nuk janë rrënuar komplet. I kanë vendosur rrugëve dhe janë duke qëndruar aty.

