Qesharake: Organizata e krijuar nga Lëvizja Vetëvendosje thërret protestë kundër Asociacionit
Përveç asaj që u mbajt të martën, ku kishte një numër të vogël të pjesëmarrësve, një protestë tjetër kundër Asociacionit është thirrur për datë 15 të këtij muaji. Organizues, është Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës i cili aktualisht udhëhiqet nga Lëvizja Studentore “Studim, Kritikë, Veprim” dhe organizata “Reforma”. E para, njihet për afërsinë e saj me partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Të mërkurën e 15 shkurtit, rreth orës 16:00, Parlamenti Studentor i UP-së po bën thirrje të protestohet kundër Asociacionit.
Ndonëse pikërisht të enjten, kryeministri Albin Kurti tha se e pranon Asociacionin, me gjashtë kushte të prezantuara nga ai, rreth 158 persona siç shihet në Facebook, thonë se do të shkojnë në këtë protestë.
A u thirr protesta nga SKV-ja, e afërt me VV-në?
Në zgjedhjet studentore të 10 qershorit të vitit që lamë pasë, SKV-ja dhe Reforma, u vendosën që të udhëheqin për dy vite Parlamentin Studentor, i cili është organizues i protestës.
SKV-ja, për më shumë se një dekadë, është njohur për afërsinë e saj me Lëvizjen Vetëvendosje, dhe shpesh, janë zhvilluar takime mes saj dhe kryeministrit Albin Kurti, sidomos gjatë kohës sa ky ishte në opozitë.
Në vitin 2018, vetë Kurti kishte deklaruar se kjo organizatë është krijuar nga studentët aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, derisa shënonte tetë vjetorin e formimit të saj.
“Sot është tetë vjetori i krijimit të organizatës studentore “Studim, Kritikë, Veprim”. SKV-ja është krijuar nga studentët aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Përgjatë viteve kjo organizatë është pjesë e përpjekjeve tona shoqërore e qytetare për një universitet më cilësor, por edhe për një pjesëmarrje më të madhe të studentëve në çështjet e shoqërisë dhe të politikës…” –deklarohej Kurti.

Tashmë aktivistë të LVV-së duket se kanë vendosur që të marrin pjesë në protestë, si shembulli i Fatri Zhitisë, zëdhënësit të Shpejtim Bulliqit.

31 janari
Më 31 janar, derisa në Ambasadën Amerikane po mbahej një takim rreth Asociacionit, ku kryeministri Kurti nuk ishte i ftuar, pak metra më larg, më konkretisht në sheshin Zahir Pajaziti, po mbahej një protestë kundër Asociacionit.
Protestuesve, siç raportoi Nacionale nga terreni, po iu printe anëtari i LVV-së, Sadri Ramabaja.
Ambasadori amerikan Jeff Hovenier – që kishte detyrë edhe të moderonte diskutimin në fjalë – dha detaje rreth takimit përmes një postimi në Titter.
“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – u shpreh ai.
Në një shkrim që erdhi pak orë pas mbajtjes së takimit në Ambasadën e Amerikës për Asociacionin, Nicholas Abbott, ambasadori britanik, ka qenë i qartë në kërkesën për themelimin e Asociacionit.
“Ne inkurajojmë qeverinë të bëjë progres në të dyjat. Një trup i tillë nuk është vetëm një zotim ndërkombëtar, por po ashtu siguron një mundësi për serbët kosovarë të jenë një pjesë integrale e Kosovës.” – shkroi ndër të tjera Abbott.
Ndërkaq, në lidhje me takimin ka reaguar edhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, i cili konsideroi se ka potencial për bisedime të mëtutjeshme.
“Ka potencial për bisedime të mëtejshme.” – ka thënë ai për REL-in.

