Qesharake: Ministrja Hajdari “nuk e njeh” Rahimajn e Kamenicës, e prezanton si një kryetar tjetër
Mund të ju duket e pabesueshme, por ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, i është ngatërruar kryetari i Kamenicës, Kadri Rahimaj, që vjen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, me kryetarin e një komune tjetër, që gjithashtu është pjesë e VV-së.
Hajdari njoftoi fillimisht për vizitën e saj në komunën lindore të Kosovës, pra në Kamenicë, përmes rrjetit “Facebook”, duke publikuar disa fotografi ku shihet edhe duke i shtrënguar duart me Rahimajn.
Sidoqoftë, ministrja fillimisht e prezantoi këtë takim si “vizitë te Kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni”.
Sipas historisë së editimit të postimit në “Facebook”, u nevojitën hiç më pak se 21 minuta që Hajdari (ose ndokush tjetër) ta përmirësonte këtë gafë të madhe në shkrim, duke e zëvendësuar emrin e kryetarit të Gjilanit me atë të kryetarit të Kamenicës.
Nuk dihet nëse Rahimaj e ka vërejtur këtë lëshim apo nëse i ka ngelur hatri. Sidoqoftë, gabimet janë njerëzore dhe na ndodhin të gjithëve, por nuk dihet nëse ministrja Hajdari i ka kërkuar apo do t’i kërkojë falje kryetarit të Kamenicës.