Qesharake, Komuna e Podujevës e ndal të vetmin semafor: Po vështirëson gjendjen në komunikacion
Komuna e Podujevës ka vendosur që të vë jashtë funksionit të vetmin semafor që kishte në qendër të qytetit.
Lajmi e ka bërë të ditur drejtorit të Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, semaforët veç se e vështirësojnë gjendjen në komunikacion.
''Po, realisht semaforët, është e vërtetë që janë jashtë funksionit dhe kjo ka ndodhur si pasojë e një vendimi, që ne e kemi marrë si komunë që ta bëjmë ndaljen e tyre. Semaforët janë në gjendje shumë të rregullt dhe nuk kanë ndonjë defekt, ne mund t’i funksionalizojmë atë dite qe ne të vlerësojmë që duhet t’i funksionalizojmë, mirëpo arsyeja e ndaljes ka ardhur për shkak se ne kemi vlerësuar se këta semaforë përveç se nuk e rregullojnë komunikacionin, këta e vështirësojnë edhe më shumë,’’- ka deklaruar Selimi raporton Paparaci.
Selimi ka deklaruar se arsye tjetër pse si komunë kanë vendosur që të ndalin semaforin është se do të ndërtohet një shteg i biçikletave në atë rrugë.
“Tash është edhe një gjë tjetër e cila nuk është duke na dhënë mundësinë t’i lëshojmë këta semaforë. Rruga “Zahir Pajaziti”, ka qenë me tre korsi dhe ne kemi marrë vendim që ta ndajmë një shteg të biçikletave në atë rrugë, dhe tash shtegu i biçikletave, e ndërron edhe pozicionin e semaforit,’’-ka deklaruar ai.
Semafori në Podujevë ishte vendosur në vitin 2019.