“Qëndroni të bashkuar”, “Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”: Çka tha Vuçiq në takim me serbët e Kosovës? - NACIONALE

“Qëndroni të bashkuar”, “Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”: Çka tha Vuçiq në takim me serbët e Kosovës?

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në takimin e mbajtur sot me përfaqësuesit politikë ka deklaruar sërish se “Albin Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut”. Ai mbajtjen e zgjedhjeve në veri e ka lidhur me formimin e Asociacionit. Çka deklaroi konkretisht?

Po vijon të mbahet edhe më tej takimi mes presidentit serb, Aleksandër Vuçiq e kryeministres Ana Bërnabiq me përfaqësuesit serbë nga Kosova.

“Populli ynë është gjithçka, por jo frikacakë, dhe deri më tani kemi bërë gjithçka që kemi munduar për të siguruar paqe dhe për të siguruar njerëzit tanë. Fatkeqësisht, regjimi i Kurtit ka bërë më të mirën, dhe është i përkushtuar që çdo ditë të prodhojë, siç do të thonin disa ambasadorë perëndimorë, incidente.” – tha ai.

Zgjedhjet?

Mbajtjen e zgjedhjeve, presidenti Vuçiq e lidhi me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai ka thënë se Asociacioni ishte kusht për organizimin e zgjedhjeve, si dhe për rikthimin serbëve në institucione.

“Pashë herën e kaluar që asnjëri nga ju nuk deshët që të riktheheni në institucione. Por ata nuk po mendojnë që ta formojnë Asociacionin. Për javë, më kanë thënë “do të të llogarisim fajtor ty nëse ka ndonjë pengesë në zgjedhje.” – deklaroi presidenti serb.

Ai tutje deklaroi se askënd nuk mund ta mashtrojnë, e mos të pretendojnë se janë shteti më demorkatik në Evropën Juglindore”.

Kurti do të jetë kryetar i Mitrovicës së Veriut. Por është më mirë që gjërat janë më të qarta, që ata mos ta mashtrojnë askënd më, të mos pretendojnë se janë shteti më demokratik në Evropën Juglindore.” – tha ai.

Mes tjerash, Vuçiq deklaroi si vijon: “Ju bëj thirrje juve popullit të Kosovës që të jeni të bashkuar, që secili të sillen sipas vendimit që merrni ju sot”.

Lista Serbe s’merr pjesë në zgjedhje

Lista Serbe nuk ka aplikuar për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbë në very të vendit.

Kjo ishte konfirmuar për Nacionalen nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.” – kishte thënë ai.

Elezi ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 23 prillit të ketë dalje sa më masive në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

“Nuk ka të vendosur ndonjë prag zgjedhor, përmes të cilit do të kërkohej një pjesëmarrje e caktuar e votuesve në një proces zgjedhor.” – u shpreh ai.

Vlen të theksohet se zgjedhjet në veri ishin shtyrë për shkak të tensioneve në muajin dhjetor të vitit që lamë pas.

Shtyrja e zgjedhjeve kishte irrituar shumë kritikë të Qeverisë, por madje edhe zyrtarin e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi që kishte nënkuptuar se ministri i brendshëm Xhelal Sveçla duhej të shqyrtonte pozicionin e tij nëse zgjedhjet nuk mbaheshin.

Katër kryetarët e mëhershëm që ishin pjesë e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje gjatë dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë në katër komunat me shumicë serbe. Sidoqoftë, kishte pasur shumë shpresë se pas marrëveshjes së Ohrit më 18 mars dhe asaj të Brukselit për Propozimin Evropian më 27 shkurt, kjo çështje do të zgjidhej.

Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq ndërkohë, pritet që të takohen shumë shpejt në Bruksel, ku do të miratohet marrëveshja për të pagjeturit, e cila u arrit më katër prill në takimin mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.

Madje, për mbajtjen e këtij takimi, ishin paraparë dy data, 22 prill e 24 prill, por që nuk iu ishin përshtatur kryediplomatit Josep Borell e presidentit Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, BE-ja ende nuk ka dalë me një datë zyrtare për mbajtjen e këtij takimi.

Lajme të ngjashme