Takimi në Rashkë: A do ta 'dëgjojë' sot Lista Serbe Vuçiqin?
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohet sot me përfaqësues politikë të serbëve të Kosovës. Në takimin që pritet të mbahet në Rashkë, do të jetë e pranishme edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe të gjithë anëtarët e Qeverisë Serbe. A do ta ‘dëgjojë’ Lista Serbe këtë herë Vuçiqin?
Përveç çështjeve politike e të sigurisë, mediumi serb “Telegraf.rs” raporton se në takim do të flitet edhe për ato sociale e ekonomike.
A do të dilet me “konkluzione të përbashkëta”, a do ta dëgjojë Lista Serbe sot Vuçiqin? – Mbetet të shihet pas përfundimi të takimit.
Çka ndodhi para një jave?
Më datë shtatë prill të javës së kaluar, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq kishte takuar përfaqësues politikë serbë nga Kosova.
Ai e kishte paralajmëruar takimin e ditës së sotme, duke thënë se do të dalin me “konkluzione të përbashkëta” lidhur me zgjedhjet në veri të Kosovës.
Vuçiq kishte lënë të kuptohej se fjala e tij nuk ishte dëgjuar nga politikanët serbë nga Kosova (Lista Serbe).
“Ideja ime për të rënë dakord sot dhe për të dalë me qëndrime – nuk ishte e mundur, ndaj u tërhoqa,” – ishte shprehur ai.
Zgjedhjet pas 10 ditësh, Lista Serbe s’merr pjesë
Lista Serbe nuk ka aplikuar për të kandiduar në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbë në very të vendit.
Kjo ishte konfirmuar për Nacionalen nga zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se është përmbyllur afati për aplikim për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq dhe në zgjedhjet e parakohshme për kuvendet komunale: Zveçan dhe Leposaviq, të cilat do të mbahen më 23 prill 2023.” – kishte thënë ai.
Elezi ka bërë thirrje që në zgjedhjet e 23 prillit të ketë dalje sa më masive në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
“Nuk ka të vendosur ndonjë prag zgjedhor, përmes të cilit do të kërkohej një pjesëmarrje e caktuar e votuesve në një proces zgjedhor.” – u shpreh ai.
Vlen të theksohet se zgjedhjet në veri ishin shtyrë për shkak të tensioneve në muajin dhjetor të vitit që lamë pas.
Shtyrja e zgjedhjeve kishte irrituar shumë kritikë të Qeverisë, por madje edhe zyrtarin e VV-së në KQZ, Sami Kurteshi që kishte nënkuptuar se ministri i brendshëm Xhelal Sveçla duhej të shqyrtonte pozicionin e tij nëse zgjedhjet nuk mbaheshin.
Katër kryetarët e mëhershëm që ishin pjesë e Listës Serbe kishin dhënë dorëheqje gjatë dorëheqjeve masive të zyrtarëve serbë në katër komunat me shumicë serbe. Sidoqoftë, kishte pasur shumë shpresë se pas marrëveshjes së Ohrit më 18 mars dhe asaj të Brukselit për Propozimin Evropian më 27 shkurt, kjo çështje do të zgjidhej.
Kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq ndërkohë, pritet që të takohen shumë shpejt në Bruksel, ku do të miratohet marrëveshja për të pagjeturit, e cila u arrit më katër prill në takimin mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Madje, për mbajtjen e këtij takimi, ishin paraparë dy data, 22 prill e 24 prill, por që nuk iu ishin përshtatur kryediplomatit Josep Borell e presidentit Aleksandër Vuçiq. Ndërkohë, BE-ja ende nuk ka dalë me një datë zyrtare për mbajtjen e këtij takimi.


