“Qëllimi i Asociacionit është që serbët të mos varen më nga Beogradi” - NACIONALE

“Qëllimi i Asociacionit është që serbët të mos varen më nga Beogradi”

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Dy top diplomatët amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar, kanë raportuar para Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan ku edhe diskutuan gjerësisht për Asociacionin e Komunave të banuara me shumicë serbe. Nuk bëhet fjalë për lejimin e një aranzhimi çfarë është “Republika Serbe” në Bosnje-Hercegovinë, ishin të prerë të dy zytarët e lartë. Por, në vlerësimin e tyre, ky Asociacion as nuk është “lëshim” ndaj Serbisë, por si mënyrë që veriu i Kosovës të futet krejtësisht brenda strukturave shtetërore të Kosovës.

Escobar, duke u përgjigjur në pyetjet e Kryesuesit të Komisionit, Bob Mendez, tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë thënë vazhdimisht Kosovës se në lidhje me Asociacionin “ne do t’ju ndihmojmë t’ia japin formën sipas ndonjë modeli evropian” i cili “nuk ia shkel sovranitetin ose strukturën kushtetuese dhe funksionalitetit”.

Ky Asociacion, tha Escobar, do të jetë mënyrë “për të zhbërë atë çfarë bën Serbia në pjesën veriore të Kosovës” në mënyrë që ato zona të futen brenda strukturave shtetërore. Dhe, që përfundimisht Kosova ta kontrollojë atë. “Dhe këtë unë nuk e shoh si një lëshim ndaj Serbisë, por si një mënyrë për Kosovën që të akomodojnë ata qytetarë”, tha emisari amerikan.

“Do të jetë model evropian, dhe në asnjë nga ata modele evropian një shtet tjetër nuk mund të shtrihet brenda territorit të një fqinji të saj dhe t’ia çalojë kushtetutshmërinë ose strukturën ligjore”.

Edhe Derek Chollet tha se nuk bëhet fjalë për një aranzhim të tillë çfarë është entiteti serb në Bosnje-Hercegovinë. Ai u kthye Op/Ed-it të botuar më 31 janar ku shpjegohe çka është dhe çka nuk është Asociacioni.

“Qëllimi është që serbët e Kosovës të mos varen nga Beogradi”, tha Chollet.

Sa i përket Kosovës, Chollet fjalimin e nisi me një pohim të prerë: Kosova është një shtet sovran, i pavarur dhe demokratik.

“Kosova është një nga miqt dhe partnerët tanë më të afërt. Shpesh arrin rezultate më të mira se ç’pritet dhe ShBA mbështet njohjen ndërkombëtare të plotë të saj. Dhe ne mbështeshim integrimin e saj në institucione ndërkombëtare përfshirë OKB-në; si dhe presim që ajo të afrohet më afër NATO-s dhe BE-së dhe eventualisht anëtarësimit në to. Por, kjo s’do të ndodh as për Kosovën dhe as për Serbinë pa u zgjidhur mes vete dallimet që kanë”.

Deklarimi i mëparshëm i Escobar pas 2 majit:

Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar pati një vlerësim edhe më herët. Edhe vizioni i palës serbe edhe ai i palës kosovare “ishin serioze”,u tha ai gazetarëve në një konferencë online për media ditë pas shpalosjes së Draft-Statutit për Asociacionin dhe vizionit "kroat" të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Por, këtyre vizioneve “serioze” Escobar qe shprehur se duhet që edhe seriozisht t’i gjendjet një mes. Andaj, palët “duhet të gdhendin propozimet e tyre” për ta shkrirë në një model të pajtueshëm për të dyja palët, elaboroi ai. Sepse ky Asociacion, u shpreh i bindur Escobar, është edhe nisësi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, duke konfirmuar atë që pretendonte vetëm Serbia, se ata pa zbatimin e Asociacionit nuk nisin as zbatimin e marrëveshjes.

Në dritë me këtë, Escobar tha se ky Asociacion do të jetë “platformë për serbët etnikë” ndonëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, (kur ishte kategorikisht dhe absolutisht kundër Asociacionit) shprehej se assesi nuk mund të ketë Asociacion të ndërtuar mbi parim etnike. Kjo platformë, sipas Escobar, do të adresojë “edhe disa prej anktheve – dhe disa prej tyre, do të thoja, janë goxho të arsyeshme – në lidhje me qeverinë qendrore në Kosovë”.

Tashmë situata është kështu, thotë Escobar: “Topi është në oborret e palëve për të nisur të gdhendin propozimet e tyre për t’i bërë më të pajtueshme për palën tjetër dhe të nisin të kërkojnë për një model të bëshëm evropian(...)”. Tash palët do të paraqesin “versionet më të rafinuara” të tyre për këtë Asociacion, sipas Escobar.

Escobar la të kuptojë se Asociacioni si i tillë do të vendoset në rishikim “parlamentar dhe ligjor”, dhe kjo për një arsye kryesore. “Që të sigurohet që ajo (Asociacioni) të bëhet i pakthyeshëm dhe pjesë qendrore e normalizim të marrëdhënieve”.

“Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuar të Amerikës janë tepër të përqendruara në sigurimin që kjo marrëveshje, për të cilën kemi punuar shumë, të bëhet realitet. Dhe ky realitet – nis me Asociacionin. Kjo – që normalizimi është i qendërzuar në të drejtat e pakicave, veçnaërisht minoritetit serb, në Kosovë. Prandaj është absolutisht kyçe. Andaj, është edhe pritshmëria jonë dhe do të thoja është kërkesa jon që të shkohet para në këtë”./Nacionale/

Lajme të ngjashme