PZAP kritikohen nga palët, aleatët e Kosovës bëjnë thirrje për respektim të vendimeve - NACIONALE

PZAP kritikohen nga palët, aleatët e Kosovës bëjnë thirrje për respektim të vendimeve

1 javë më parë

nga NACIONALE

Paneli për Ankesa dhe Parashtresa dje ka vendosur për ankesat që kanë dorëzuar subjektet politike dhe kandidatët për deputet pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KQZ.

Vendimet e këtij institucioni nuk iu kanë pëlqyer palëve.

Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për deputet i PDK-së, Bekim Haxhiu, kanë kritikuar vendimet e fundit të PZAP-së.

Më i ashpër ndaj këtyre vendimeve ka qenë anëtari i VV-së në KQZ, Alban Krasniqi.

Në emisionin “60 Minuta” në KTV, ai ka kundërshtuar vendimin e PZAP-së, i cili ka rrezuar vendimin e KQZ-së për mosmiratimin e rezultatit të kandidatëve të Listës Serbe.

Politizimi nuk është duke ardhur nga KQZ, politizimi është duke ndodhur nga akterët e njëjtë që e kontrabanduan Listën Serbe më 2013 duke e bërë pjesë të sferës politike që përfaqëson edhe komunitetin serb”, ka thënë ai, duke vazhduar kritiken ndaj aleatëve të Kosovës.

Mund t’i pyesim edhe këta të BE-së, edhe përfaqësi të caktuara, të themi diplomatike, dhe ish-diplomatë, të cilët besoj që me veprime të tilla i kanë bërë dëm jo vetëm Republikës së Kosovës, por edhe më shumë vetë komunitetit serb.", është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, diplomatët perëndimorë po ushtrojnë presion “për hesapet e tyre politike të ngushta”.

Aty ku Lista Serbe pretendon të garojë, aty nuk do të ketë demokraci, e dinë prej ambasadorëve, përfaqësuesve të BE-së dhe të gjithë të tjerëve të Quintit. Edhe ata janë duke u vënë në mbrojtje të organizatave kriminale për hesapet e tyre politike të ngushta apo të karrierës diplomatike. Por edhe institucionet tona dhe spektri politik janë duke dështuar në këtë drejtim.”, është shprehur ai.

Kritikat ndaj vendimeve të PZAP-së ka shprehur edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.

Në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ai ka thënë se arsyetimin i këtij institucioni është formal.

Sipas tij, ky institucion nuk e ka marrë në konsideratë çështjen thelbësore që e ka ngritur.

Arsyetimi i PZAP-së është thjesht formal dhe nuk merr në konsideratë çështjen thelbësore që unë kam ngritur. Ankesa e parë lidhet me faktin se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar 23 mijë e 232 pako me fletëvotime pas afatit ligjor të përcaktuar me ligjin për zgjedhjet. Kjo ka cenuar pa barazi votuesit dhe ka cenuar të drejtën e qytetarëve për një votë të barabartë”, ka thënë ai, duke dhënë detaje tjera.

Nuk kontestova votat që erdhën brenda afatit ligjor sepse këto janë të drejta të qytetarëve, por nuk mund të lejohet që KQZ-ja të shtyjë procesin e votimit për një komunë të caktuar deri në mesnatë apo mëngjes, kur ligji qartë përcakton që kutitë e votimit hapen në orën 7:00 dhe mbyllen në 19:00. Çdo veprim tjetër është jashtë ligjit dhe cenon barazinë e votës së qytetarëve,” ka thënë Haxhiu.

Ndryshe nga palët në proces, vendimet e PZAP-së janë përshëndetur nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovës.

Kjo ambasadë iu ka bërë thirrje palëve që t`i respektojnë vendimet e këtij institucioni.

Mbretëria e Bashkuar vazhdon të mbështesë procese zgjedhore transparente dhe të bazuara në rregulla në Kosovë. Ne inkurajojmë të gjitha institucionet dhe aktorët politikë që të respektojnë vendimet e institucioneve demokratike dhe të ruajnë integritetin e kornizës zgjedhore. Një proces zgjedhor i besueshëm dhe gjithëpërfshirës është thelbësor për stabilitetin demokratik të Kosovës dhe për forcimin e besimit mes të gjitha komuniteteve.", është thënë në reagimin e ambasadës britanike.

Lajme të ngjashme