Pushteti i Listës Serbe në veri ka nisur një fushatë të largimeve nga puna të shqiptarëve, Qeveria Kurti hesht
Me instalimin e pushtetit në katër komunat veriore, Lista Serbe ka filluar një fushatë të largimeve nga puna të personelit shqiptar në administratat komunale. Brenda pak jave, pushteti i ri ka larguar nga puna disa zyrtarë shqiptarë nga këto komuna.
Dje gazeta Nacionale ka publikuar vendimet e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojevic, për largimin nga puna të tre shqiptarëve. Mediat lokale kanë raportuar se largime të punonjësve me etni shqiptare ka pasur edhe në komuna tjera.
Këto largime janë përcjell në heshtje nga Qeveria Kurti, e cila në vitet e fundit është krenuar për shtrirjen e pushtet në atë pjesë të vendit.
Askush nga institucionet qendrore nuk ia ka dënuar këto largime. Për këtë çështje asnjë fjalë nuk e ka thënë as Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila udhëhiqet nga Elbert Krasniqi.
Për larimet nga komuna e Zubin Potokut ka folur vetëm ish-kryetari i kësaj komune, Izmir Zeqiri.
Ai ka thënë se vendimet për largimin e punonjësve shqiptarë janë të orkestruara.
“Momentalisht në Komunën e Zubin Potokut, Lista Serbe po bën vendime të orkestruara qysh di ajo përmes direktivave dhe po bën përpjekje në komunat tjera dhe sigurisht do të ketë edhe tek ne. Kanë qenë të pritura”, ka thënë ai për FronrOnline.
Ai ka bërë me dije se largimet janë në kundërshtim me ligjin, sepse procedura e punësimit ka qenë transparente.
“Këto proceduralisht nuk janë në rregull sepse punësimet janë bërë me rregulla procedurale”, ka thënë ai.
Largimet në Mitrovicë të Veriut
Gazeta Nacionale dje ka publikuar tri vendime të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Milan Radojevic, për largimin nga puna të tre shqiptarëve.
Këto vendime po konsiderohen të paligjshme, meqenëse zyrtarët në fjalë ishin punësuar në Zyrën për Komunitete dhe Kthim sipas procedurave ligjore.
Ndonëse ata janë punësuar për një procesi të rregullt, në arsyetimin e vendimeve pretendohet se në procesin e rekrutimit të zyrtarëve në fjalë nuk janë respektuar procedurat ligjore.
Në vendimin për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për zyrtarin me iniciale T. K. thuhet se me punësimin e tij është cenuar përbërja e zyrës.
“Bazuar në Vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, me nr. protokolli 01-536-031, të datës 01.06.2023, është përcaktuar qartë se kjo zyrë përbëhet nga 7 (shtatë) zyrtarë, prej të cilëve 3 (tre) nga komuniteti shqiptar, 2 (dy) nga komuniteti boshnjak, 1 (një) nga komuniteti turk dhe 1 (një) nga komuniteti serb, si dhe se përgjegjësi i zyrës duhet të jetë nga komuniteti shqiptar, pra në rastin konkret është konstatuar paligjshmëria e aktit të emërimit për nëpunësin civil”, thuhet ne arsyetimin e vendimit.
Më tej, përmenden edhe pretendime tjera.
“Megjithatë, procesi i rekrutimit për këtë zyrë ka qenë jotransparent dhe në kundërshtim të hapur me legjislacionin në fuqi, pasi nuk është respektuar vendimi i lartcekur i Kuvendit Komunal, i cili përbën akt juridik obligativ për organet komunale”, thuhet në arsyetim.
Të njëjta arsyetime janë përmendur edhe në vendimet për ndërprerjen e marrëdhënies së punës për dy zyrtarët tjerë, të cilët kanë iniciale A.S, dhe R.U.
Avokati i zyrtarëve të shkarkuar, Alban Krasniqi, ka thënë për gazetën Nacionale se personat në fjalë janë larguar nga puna pa asnjë arsyetim të individualizuar ligjor.
“Largimi u bë vetëm pak kohë para përfundimit të periudhës provuese 6-mujore. Kjo periudhë është shfrytëzuar për të evituar mbrojtjen e plotë ligjore që gëzojnë zyrtarët e rregullt, dhe ndërprerja e punësimit gjithmonë duke shkelur kriteret e vlerësimit të parashikuara me ligj”, ka thënë ai.
Krasniqi është shprehur i bindur se do të vërtetohet paligjshmëria e këtyre vendimeve.
“Si avokat i palëve, jam i bindur se mjetet ligjore që do të përdorim do të vërtetojnë paligjshmërinë e plotë të këtyre largimeve nga puna. Konsiderojmë se ky rast kërkon vëmendje të shtuar publike për të sensibilizuar opinionin dhe për t'u bërë thirrje institucioneve mbikëqyrëse që të garantojnë sundimin e ligjit dhe trajtimin e barabartë të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie”, është shprehur ai.