Pushteti "i gjuhet" opozitës pas fjalëve që Stoltenberg ia tha në sy presidentes Osmani - NACIONALE

Pushteti "i gjuhet" opozitës pas fjalëve që Stoltenberg ia tha në sy presidentes Osmani

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Fjalët e thëna dje nga shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, shkaktuan shumë reagime. Ky i pari, la të kuptohet se jo veç Forca e Sigurisë së Kosovës, por edhe Policia e Kosovës, duhet të marrë leje nga misioni i KFOR-it për zbarkim në veri. Opozita reaguan të parët, por zyrtarë të pushtetit, tash po “u gjuhen” atyre duke i akuzuar për keqinterpretim të deklaratave. Çka u tha?

Fillimisht, le t’i rikujtojmë edhe një herë fjalët e Stoltenberg. Që në fillim të konferencës, ai tha fjalët që më pas do të komentoheshin shumë.

“Në përputhje me zotimin e Prishtinës në vitin 2013, çdo zbarkim i trupave të FSK-së në veri të Kosovës kërkon bashkërendimin me KFOR-in. Dhe ne presim konsultime të domethënshme dhe me kohë të çdo veprimi nga FSK-ja apo Policisë së Kosovës që mund të ndikojë ambientin e sigurisë,” - u shpreh ai.

Dhe jo veç një herë, dy herë e dha sqarimin e tij Stoltenberg, pasi që për këtë çështje, u pyet edhe nga gazetarët prezentë në konferencë.

“Nuk është një kërkesë e re, është kusht që kanë qenë për një kohë të gjatë. Secili zbarkim e Njësive Speciale duhet të aprovohet nga KFOR-i dhe ka një nevojë për koordinim dhe konsultim të afërt nga autoritet në Prishtinë dhe KFOR-it për çdo zbarkim që mund të ndikojë në sigurinë në Kosovë.” – u shpreh ai.

Çka bëri më pas pushteti?

Fillimisht, eksponentë të opozitës reaguan ndaj këtyre fjalëve, duke cilësuar se krejt kjo, po ndodhë për shkak të veprimeve të pushtetit, pra presidentes Osmani e kryeministrit Kurti.

Ish-kryediplomati Enver Hoxhaj u shpreh se procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës.

"Sot u pa qartë edhe një herë se me dyshen Osmani-Kurti, procesi i dialogut është zvogëluar rreth gabimeve strategjike të Kosovës dhe jo interesave të saj, kur nga selia e NATO-s u tha se Kosova tani duhet të kërkojë leje nga KFOR-i për të vendosur forcat policore në veri. Lajm i keq!" - shkroi Hoxhaj.

I pari që i reagoi Hoxhës, Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes Osmani. Ky i fundit, fillimisht në një prononcim për “RTK-në”, deklaroi se NATO nuk e vë në pikëpyetje veprimtarinë e Policisë së Kosovës.

Më pas, ai do ta sulmonte Hoxhajn, duke e akuzuar se “po luan rolin e kukuvajkës”.

A ka qenë më herët ky kriter, a do të shkojë policia në veriun e vendit edhe pas këtij takimi?

“Në deklarimin hyrës ai i referohet shkëmbimit të letrave të vitit 2013, që ka të bëjë me zbarkimin e FSK-së që është arritur nga ish-kryeministri Thaçi. Se është pak cinike të dëgjojmë sot ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të asaj kohe që të luajnë rolin e kukuvajkës dhe të thonë se paskan zbuluar diçka të re që FSK-ja të kërkojë të ketë një miratim paraprak që të shkojë në veri.” – tha ai.

Natyrisht, s’mungoi reagimi i Hysamedin Ferajt, këshilltarit shumë të komentuar të kryeministrit Albin Kurti. Ky përmes një shkrimi në Facebook, tha se po dezinformohet në lidhje me këtë situatë, pra duke sulmuar mediat.

“Vazhdon dezinformimi…A thua disa media në Kosovë nuk e dinë dallimin ndëmjet Policisë së Kosovë dhe FSK-së, apo, meqë mund ta dëshirojnë vetë, këtë ëndërr e paraqesin si realitet i konfirmuar nga z. Stoltenberg?” – u shpreh ai mes tjerash.

Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka pretenduar se opozita po tenton t’i keqinterpretojë deklaratat e shefit të NATO-s.

“Jemi të vetdijshëm se ai letërshkëmbim…Po, koordinimi, fjala koordinim nuk bën të shtrembërohet apo të interpretohet diçka që ai nuk e ka thënë, koordinim është koordinim, por nuk është pengesë, si me thënë qysh po dojnë ta interpretojnë, gjoja ka thënë se duhet të merret leje. I vetmi institucion ligjzbatues në të gjithë territorin është Policia e Kosovës e cila ka mandate, obligime ligjore në të gjithë territorin e Kosovës.” – deklaroi ai.

Lajme të ngjashme