Pushteti 51% | VV e nxjerr kartën e fajësimit nga sqetulla, ia qet barrën opozitës se “bllokoi” pakon 200 milionëshe
Me vetëm tri ditë para skadimit të afatit për zgjedhjen e presidentit të ri, Kryeministri Albin Kurti doli në video-adresim për të zhvendosur përgjegjësinë dhe për t'i faturuar fajin opozitës, vetëm pak javë pasi refuzoi të mbështeste Presidenten Vjosa Osmani për mandatin e dytë. Ndërkohë, ministri i Financave, Hekuran Murati, u angazhua që te “Pakoja për Përballje me Inflacionin 2.0”: fajin – edhe me vota të mjaftueshme për ta bërë të mundur pakon – duhej ta mbante opozita.
Në video-mesazh, shefi i ekzekutivit e portretizoi sitautën si 'refuzim kokëfortë' të opozitës për të respektuar vullnetin popullor. Madje, Kurti rikujtoi supremacinë e tij elektorale: 51 për qind të votave, 57 deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe shumicën qeverisëse prej 66 mandatesh.
Por, e gjithë kjo makineri numrash u dëshmua "e pamjaftueshme" për të kaluar nismën qeveritare të premtuar - të ashtuquajturën “Pako për Përballje me Inflacionin 2.0”, e cila peshon rreth 200 milionë euro.
Ministri Murati akuzoi opozitën se votoi kundër trajtimit në seancë të rishikimit të buxhetit, i cili, sipas tij, do ta mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.
“Sot opozita votoi kundër trajtimit në seancë plenare të rishikimit të buxhetit. Ky rishikim do të mundësonte financimin e Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0, në vlerë prej 200 milionë eurove. Kjo pako mbështetëse do të ishte një ndihmë e shumëpritur për të lehtësuar barrën e familjeve, por ja që partitë opozitare mendojnë ndryshe fatkeqësisht", shkroi Murati në Facebook.
Prapaskena e “dështimit”, megjithatë, pati strategji të mirëmenduar, ku ekzekutivi duket se planifikoi ta bënte fajtore opozitën përmes kartës së manovrave procedurale në Kuvend.
Shmangia nga afatet e rregullta të Rregullores së Kuvendit dhe kërkesa për trajtim të përshpejtuar kërkon domosdoshmërisht mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të pranishëm. Kjo zgjedhje taktike e vendosi qëllimisht pushtetin në pozicion varësie ndaj votave opozitare, duke e paramenduar epilog të tillë bllokues.
Deputetja e Lidhjes Demokratike, Hykemete Bajrami, i quajti "propagandë" tentimet për të fajësuar opozitën, teksa kujtoi se buxheti dhe rishikimi i tij kalojnë me shumicë të thjeshtë.
"Mos bëni propagandë! Buxheti kalon me shumicë të thjeshtë, njëjtë edhe rishikimi i tij. Mjafton të jenë në seancë 61 deputetë prezentë dhe shumica të votojë për. LVV i ka 66 deputetë.
Asnjë parti opozitare s’mund ta pengojë Kurtin t’i ndihmojë qytetarët; as në gjashtë vitet e kaluara Kurti s’ka pasur asnjë pengesë. Pengesa e vetme e Kurtit është vetë apetiti i tij për të sunduar."
Për Bajramin, kjo pako pëbënte vetëm fushatën e radhës të kamufluar për blerje votash me paratë e buxhetit të shtetit, në një kohë kur vendi rrezikon të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme në mungesë të një konsensusi.
“Ministri i Financave tha kemi me e pru një pako për përballje me inflacionin 200 milionë euro. A e dini për çka ka me pru pakon? Për me i ble vota. Nëse shkojmë në zgjedhje, ky i blen votat. Domethënë tash nuk është në gjendje me dal me aprovu masa që kushtojnë 20 milionë euro në muaj, por e kish për përgatitje e sipër pakon prej 200 milionë euro.”